Kodra e Diellit: U tha se do të jetë gati në fillim të korrikut, teleferiku me gjashtë ulëse ka ngecur në procedura administrative

Teleferiku me gjashtë ulëse që u tha se do të jetë gati në fillim të korrikut, ende nuk është vënë në funksion. Nga ELEM TURS njoftojnë që faza e testimit ka përfunduar, por procedura ka ngecur te çështjet administrative, transmeton Portalb.mk.

Premtimi për ndërtimin e teleferikut të ri me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit këtë vit u bë i vjetër pesë vjet. Ndonëse kontrata e parë e nënshkruar për ndërtimin e teleferikut ka qenë më 10 mars 2014, teleferiku ende nuk është vënë në punë. Nga ELEM TURS thonë se ka përfunduar faza e testimit dhe se procesi ka ngecur nëpër çështje administrative që marrin kohë.

“Është bërë testimi intern dhe gjashtë ulësja është funksionale, tash procedura është te këshilli mbikqyrës i Fakultetit të Ndërtimtarisë, ata duhet të përgatisin dokumentacionin e duhur për leje të përdorimit, edhe në Ministri të Transportit. Do të thotë është në fazën e dokumentacionit”, njofton Xhemail Jusufi, drejtor i ELEM TURS.

Megjithatë, nuk dihet saktë se kur e njëjta do të vihet në funksion.

“Këto janë procedura që nuk dihen se sa mund të zgjasin, tash edhe koha e pushimeve verore, institucionet ndoshta punojnë me kapacitet më të ulët, andaj nuk dihet”, u shpreh Jusufi.

Ai njoftoi se po rregullohet edhe terreni përreth gjashtë ulëses.

Nga ana tjetër edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, disa herë ka potencuar se ky teleferik do të vihet së shpejti në funksion.

“Pothuajse gjashtë ulësja është në përfundim e sipër, për momentin të punësuarit në ELEM TURS janë në trajnim për vendosjen në funksionim të atij teleferiku. Pra do të japim edhe një mundësi shtesë për të gjithë vizitorët, një ski-lift që i plotëson të gjitha kriteret ndërkombëtare”, tha Bekteshi.

Në pyetjen se a do të vazhdojë ELEM TURS të menaxhojë me Kodrën e Diellit, përkundër kërkesave të qytetarëve që të njëjtët të tërhiqen nga menaxhimi, Bekteshi theksoi se edhe këtë vit ELEM TURS do të menaxhojë me Kodrën e Diellit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button