Kosovë, njohës të çështjeve juridike thonë se Haradinaj s’mund t’i drejtohet Kushtetueses

Vendimi i Kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, për të kërkuar mendim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me funksionimin e Qeverisë së dorëhequr, ka nxitur reagime të shumta, njofton Koha.net.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se ky veprim i Haradinajt nuk ka bazë ligjore dhe se i njëjti është bërë për t’u arsyetuar para publikut.

Veprimi i Haradinajt është kritikuar edhe nga opozita.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një postim në Facebook, ka thënë se Haradinaj nuk është duke e kuptuar se nuk është më kryeministër.

“Haradinaj, si duket nuk po e kupton që më nuk është kryeministër dhe duhet të largohet nga kryeministria, ai por edhe ish-ministrat e tij. Sot tha që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta pyetur se çfarë vendimesh ka të drejtë të marrë. Ky nuk po e kupton ose nuk po dëshiron ta kuptojë, që nuk është kryeministër dhe as nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Le ta shohë nenin 113 të Kushtetutës, i cili specifikon juridiksionin dhe palët e autorizuara pranë GJK”, ka thënë Haxhiu.

Kurse, Avdullah Hoti nga LDK, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se është reflektuar edhe njëherë mungesa e kompetencës së kryeministrit në dorëheqje dhe kabinetit të tij.

“Mbledhja e sotme e Qeverisë në dorëheqje, reflekton edhe një herë mungesën e kompetencës të Kryeministrit në dorëheqje dhe mega-qeverisë së tij, me 5 zëvendëskryeminstra, mbi 20 ministra, 80 zëvendësministra e qindra këshilltarë. Kjo nuk është gjë e re”, ka thënë Hoti, duke bashkëngjitur disa vendime që i ka quajtur skandaloze.

Situatën e krijuar është duke e vëzhguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë.

“Po ndjekim nga afër se si Kosova po ballafaqohet për herë të parë me dorëheqjen e kryeministrit. Menaxhimi i kësaj çështjeje do të tregojë forcën e institucioneve të Kosovës dhe vullnetin e zyrtarëve për të respektuar ligjet dhe Kushtetutën”, ka shkruar ambasadori Philip Kosnett në Twitter.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur një javë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk është shqyrtuar asnjë nga pikat e rendit të ditës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button