Do të ndërtohet mur i ri mbajtës në Banjën e Tetovës, nuk dihet kur do fillojnë ndërtimet

Është nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e murit mbrojtës në rrugën e Banjës të Tetovës. Muri planifikohet të ndërtohet me mjete të ndara nga buxheti i i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2019, njoftojnë nga Komuna e Tetovës. Megjithatë, nga Komuna thonë se sektori i infrastrukturës nuk ka detaje se kur do të fillojnë ndërtimet, transmeton Portalb.mk.

Rruga e Banjës së Tetovës është rrugë e re, e ndërtuar në 2017-tën. Por është joadekuate dhe e pasigurtë pasi ka shembje të tokës përreth. Ndonëse u ndërtua një mur mbajtës në një pjesë të rrugës, i njëjti është gati të rrënohet. Nga Komuna e Tetovës thonë se kjo vjen si pasojë e mos pasjes së elaborateve gjeoteknike dhe mostrajtimit të ujërave sipërfaqësorë në projektin paraprak, por gjithsesi tani do ndërtohet një mur i ri.

“Realizimi i këtij projekti, është në pajtim me prioritet strategjike të përfshira në strategjinë për zhvillim rural të Komunës së Tetovës për vitet 2015-2020. Vlera totale e projektit kap shumën prej 3,227,012,58 MKD, me çka pritet të realizohet ndërtim i murit mbrojtës prej betoni në rrugën Tetovë – Banjë – Shipkovicë – Brodec, me qëllim të mbrojtjes së bregut të lumit dhe rrugës lokale që shpie deri në Brodec. Realizimi i këtij projekti do të mundësoj komunikacion më të sigurtë për të gjithë ata që jetojnë në këtë fshatra, por gjithashtu edhe për të gjithë banorët e Tetovës që e kalojnë këtë rrugë për qëllime rekreative meqë e njëjta rrugë shpie kah Banjat e Tetovës”, thuhet në postimin në facebook të Komunës së Tetovës.

Ndonëse thonë se nuk dihet kur do të fillojnë punimet, ata njoftojnë se projekti parashihet të zgjasë 8 muaj.

“Pas realizimit të projektit, i cili parashihet të zgjasë 8 muaj, mirëmbajtja dhe qëndrueshmëria e murit do të jenë nën kompetencë të Komunës së Tetovës”, thonë nga komuna.

Projekti “Ndërtimi i murit mbrojtës prej betoni në rrugën Tetovë – f.Brodec” do të realizohet me mjete të miratuara nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button