Tenderi për Shkup-Bllacë: Osmani – ditë historike, Kitanovi – realizim i ëndrrës shumëvjeçare

Koordinatori i projektit për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugë Shtetërore” Zoran Kitanov sot kanë njoftuar se është hapur tenderi për ndërtim të pjesës së parë të autostradës Shkup-Bllacë, në gjatësi prej 2 kilometra. Ditën e sotme Osmani e ka vlerësuar si ditë historike, e Kitanovi si realizim të ëndrrës shumëvjeçare dhe kanë rekomanduar të mos licitohet me data, transmeton Portalb.mk.

Siç mund të shihet në ueb faqen “E-Prokurime”, afati i fundit për dorëzim të ofertave është deri më 4 shtator 2019, ndërkaq si kriter paraqitet çmimi më i ulët. Ofertuesi duhet që përveç të ketë pasur të ardhura vjetore deri më 10 milionë euro në 5 vitet e fundit, duhet të posedojë licencë (A) për ndërtim të kategorisë së parë.

Hapja e tenderi për punët ndërtimore të pjesës së parë të autostradës Shkup - Bllacë
Hapja e tenderit për punët ndërtimore të pjesës së parë të autostradës Shkup – Bllacë

Osmani e ka cilësuar ditën e sotme si ditë historike, e ndërkaq Kitanovi si realizim të ëndrrës shumëvjeçare

“Sot është hapur tenderi për ndërtimin e pjesës së parë të kësaj pjese. Më shumë detaje do të ju tregojë drejtori, dhe detyra ime është të ju informoj për këtë pjesë”, tha Osmani.

“Ja erdhi dita kur ëndrra shumëvjeçare u bë realitet. Sot po e hapim tenderin”, tha Kitanovi.

Osmani dhe Kitanovi rekomanduan: Mos licitoni me data, mund të dalin pengesa

Edhe pse në promovimin e këtij projekti, por edhe sot u tha se realizimi i punimeve ndërtimore të fazës e parë – 2 kilometrat (nga kufiri në Bllacë deri në hyrje të fshatit Bllacë), do të zgjasë 18 muaj, Osmani dhe Kitanovi nuk deshën të japin datë konkrete se kur pritet të përfundojnë punimet, ndërkaq rekomanduan që të mos licitohet me data.

“Nuk është mirë të licitoni me data, sepse kur vini te ndërtimet, nuk e dini çfarë del”, tha Kitanovi.

“Është jo korrekte që të jepen data për punë ndërtimore, këtë e them nga përvoja. Sepse për shak të terrenit gjeografik, dhe në aspekt të sfidave që mund të ballafaqohen, ato mund të ndikojnë edhe rrjedhën e punimeve. Nga sot, dinamikën do ta definojnë dispozitat ligjore”, tha Osmani.

Siç deklaroi ai, është gjetur zgjidhje edhe për zonën kufitare dhe për objektet kufitare.

Bujar Osmani për autostradën Shkup - Bllacë
Bujar Osmani për autostradën Shkup – Bllacë

“Pardje në seancë qeveritare kemi vendosur që për të sigurohen mjete nga Fondet IPA për bashkëpunim ndërkufitar, me çka për këtë pjesë do të alokuohen mjete në vlere prej 8 milionë euro për këtë zonë dhe për kufirin”, tha Osmani.

I pyetur se pse u vendos të shkohet në realizim parcial, e jo të tërësor, Osmani deklaroi se në lojë kanë qenë dy opsione, dhe për të më e pranueshme ishte ky variant.

“Kishim dy opsione. Ta lëmë gjithë projektin kur do të përfundojë i tëri, ose ta bëjmë procesin të pakthyeshëm. Meqë në buxhet kishim mjete për kilometrat e para, unë insistova që të mos shkojmë me ndërtim komplet, sepse derisa vijojnë punët ndërtimore për pjesën e parë, ne kemi mund të realizojmë punimet e projekteve të pjesëve tjera”, tha Osmani.

Osmani ka njoftuar se,është përmbyllur konstruksioni financiar për tërë autostradën në gjatësi prej 12.4 kilometra. Pjesa e parë – 2 kilometra është me mjete buxhetore të “Rrugë Shtetërore”, tjetra me mjete të siguruara nga Fondi Investues për Ballkanin Perëndimor.

Fakulteti i Ndërtimtarisë do t’i mbikëqyrë punimet e pjesës së parë

 22 prill 2019 “Rrugët Shtetërore” e ka hapur tenderin për punët mbikëqyrëse të pjesës së parë të autostradës Shkup -Bllacë, me çka më 24 qershor 2019 është përzgjedhur edhe realizuesi – Instituti i Ndërtimtarisë në Shkup. Tenderi arrin vlerën prej 24.715.100 denarë.

Realizuesi i punëve mbikëqyrëse të pjesës së parë të autostradës Shkup - Bllacë
Realizuesi i punëve mbikëqyrëse të pjesës së parë të autostradës Shkup – Bllacë

Rëndësia e ndërtimit të autostradës Shkup – Bllacë, është sepse ajo do të mundësojë lidhjen me autostradën “Arbër Xhaferi”, e cili lidhet me autostradën “Ibrahim Rrugova”, që bashkërisht mundësojnë lidhje rrugore të RMV-së me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Përndryshe, për autostradën Shkup – Bllacë u tha se në muajin shkurt duhet të hapet tenderi për fazën e parë, megjithatë ai u hap në korrik. Faza e parë do të fillojë nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit dhe do të jetë e gjatë 2 kilometra. Punimet në terren për këtë fazë do të zgjatin 18 muaj.

Faza e dytë – Do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë e gjatë 10.5 kilometra, ndërkaq projektimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019. Tenderi do të hapet në fillim të vitit 2020. Do të ketë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet për këtë fazë do të zgjatin 36 muaj.

Gjatësia e tërë autostradës do të jetë 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, ndërkaq pritet të përfundojë për 54 muaj – 4.5 vjet. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore.

Paralajmërimi për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në dy faza dhe në kohëzgjatje prej 54 muaj ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Qytetarët në mënyrë ironike komentuan se me kazmë do ta ndërtonin më shpejtë, e kurse sipërmarrësit thonë se kjo do ta ulte fitimin dhe do të rriste shpenzimet e ndërmarrjeve që gravitojnë në zonën ekonomike të Vizbegut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button