BALLKANI SIPAS MAZOVERIT

Ballkani nuk është vetëm term gjeografik, por edhe politik. Paraprakisht është quajtur Heamus apo gadishulli Ilirik. Disa autorë thonë se “heamus” rrjedh nga fjala trake “saimon”, pra “kurorë malesh”. Ballkani është një kurorë malesh. Të tjerë thonë se rrjedh nga fjala greke “hama” – gjak. Në Ballkan është derdhur shumë gjak. Aktorja e njohur, Angelina Jolie, e quajti filmin e saj “Në vendin e mjaltit dhe gjakut”, duke u nisur nga fjalët turke: “bal” – “mjaltë” dhe “kan” – “gjak”. Gadishulli i Ballkanit, si emërtim, ishte propozuar nga gjeografi gjerman, Johann August Zeune, në vitin 1808/9.

Si term politik është përdorur në kuptim negativ. Është sajuar edhe termi “ballkanizëm”, që nënkupton hasmërinë kronike ndërmjet popujve, dhunën, konfliktet, luftërat, anarkinë, jo stabilitetin etnik, religjioz e kulturor.

Ballkani është hapësirë ku ndërthuren kultura, etni, religjione apo gjuhë të ndryshme, por edhe hapësirë e përplasjeve etnike e religjioze.

Ballkani më shumë është paragjykuar se sa është studiuar në qarqet evropiane. Është shkruar se ai nuk është pjesë integrale, por “pjesë e egër” e Evropës.

Paragjykimet dhe stereotipat mbi Ballkanin vazhdojnë të jenë të shprehura në qarqet politike, diplomatike e kulturore evropiane.

Historiani, Mark Mazoveri (Mark Mazower) tenton t’i dekonstruktojë paragjykimet dhe stereotipat për Ballkanin, që sipas tij janë pasojë e mosnjohjes së historisë nëpër të cilën ka kaluar ai.

Libri i Mazoverit, “Ballkani, një histori e shkurtër”, është një histori e përmbledhur mbi gadishullin, për të cilin, deri në fund të shekullit XX, sipas autorit, njerëzit në Perëndim flisnin si për diçka që nuk kishte ekzistuar fare, sepse, dyqind vjet më parë, Ballkani nuk ekzistonte. Osmanët, shkruan ai, nuk qeverisnin me Ballkanin, por me “Rumelinë”, vendin e dikurshëm “romak”, të cilin e kishte pushtuar Bizanti. Ortodoksët e shkolluar vetëquheshin “romej” ose “risjanë”. Ballkani trajtohej vetëm si zonë ku kalonte rruga nga Evropa drejt Stambollit. Prej se ishte pushtuar nga osmanët, nuk zgjonte interesimin e kronistëve evropianë, të cilët, për mungesë njohurish, të gjithë ortodoksët e Ballkanit i quanin grekë, pavarësisht nëse ishin shqiptarë ose sllavë, kurse të gjithë myslimanët i quanin turq.

Ballkani ishte kthyer fuqishëm në fokusin e interesimit të autorëve evropianë prej se perandoria osmane i kishte ditët e numëruara. Udhëpërshkrues, gazetarë, misionarë dhe propagandues evropianë, thotë autori, filluan ta afirmonin termin “Ballkan” jo vetëm si “nocion gjeografik”, por edhe politik. Ballkani, zakonisht, përmendej në konotacion negativ. Quhej “Evropa e egër”; “paradë vendesh të vogla”; “hapësirë e antagonizmave”, “e mungesës së tolerancës”; “botë fragmentare”; “botë mashkullore”; rajon i korrupsionit, i vrasjeve, i kriminalitetit, i dhunës, i egërsisë, i primitives, i përplasjeve etnike dhe religjioze; “rajon i kaosit”, “fasadë europiane”, prapa së cilës fshihej Orienti; rajon ku gjërat nuk kishin ndryshuar me shekuj.

Ky këndvështrim perëndimor për Ballkanin, sipas Mazoverit, por edhe sipas Maria Todorovës, ishte sforcuar pas sulmeve terroriste të VMRO në vitin 1900; pas vrasjes së mbretit serb më 1903; pas kasaphanave në dy luftërat ballkanike dhe pas atentatit ndaj Franz Ferdinandit.

Stereotipi është skematizim, një “hartë mentale” ku vendosim mendimet tona për “tjetrin”. Stereotipat mund të jenë auto – stereotipa (imazhi apo perceptimi që individi ka për kulturën e tij apo për realitetin) dhe hetero – stereotipa (imazhi që kemi për kulturat tjera).

Mazoveri i dekonstrukton auto – stereotipat dhe hetero – stereotipat për Ballkanin.

Sipas tij, në fillimet e depërtimit osman në Ballkan, kur ndodhën ndryshime të mëdha, perëndimi nuk e shihte me paragjykim Ballkanin. Autorët evropianë, madje, shkruanin se perandoria unike osmane kishte ofruar diçka të re për popullatën ballkanase. Fshatarët, që kishin vuajtur dyqind vjet nga jostabiliteti politik i Bizantit, nga luftimet e brendshme të prijësve, që ishin sjellë ashpër, kishin pasur dobi nga pushteti i ri, i cili, në fillimet e tij, e kishte fshirë klasën dominuese, i kishte zvogëluar tatimet, kurse nëpër fshatra nuk ndjeheshin dallimet ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, që jetonin pranë njëri tjetrit. Me kalimin e kohës, sipas Mazoverit, ndryshoi mendimi perëndimor ndaj Ballkanit. Ishte një qasje e dominuar me paragjykime për perandorinë osmane dhe njëkohësisht edhe për Ballkanin. Në perëndim filloi të flitej për Evropën e lirë kundrejt orientit despotik, sensual, të ngathët, fantastik. Ballkani filloi të quhej si zonë e ndërmjetme mes Europës dhe Azisë, por që nuk ishte e orientuar drejt vlerave evropiane. Shumë udhëpërshkrues e paraqitën Ballkanin si hapësirë ndryshe nga Evropa, qoftë si veshje, kulturë, mendësi, qytetërim. Trocki shkruante: “Lindje! Lindje! Çfarë përzierje njerëzish, veshjesh, tipash etnikë dhe nivelesh kulturore”. Të tjerë autorë i quajtën ballkanasit si popullatë “jo praktike për sistemin evropian”, sepse “prireshin drejt barbarisë”.

Pati autorë evropianë që e kundërshtuan këtë qasje. Ami Bue, më 1840, në “Turqia Evropiane”, solli këndvështrim tjetër për Ballkanin. Librat e tij shërbyen si referencë për shumë autorë pasardhës.

Ami Bue, i cili flet me adhurim për shqiptarët, shkruante se Perëndimi e harronte se në Turqinë Evropiane myslimanët ishin shqiptarë e sllavë dhe jo të ardhur nga viset e perandorisë, kurse e drejta e tyre për tokën ishte po aq e lashtë sa e bashkëqytetarëve të tjerë të krishterë.

Ballkani nuk ishte qetësuar edhe pas krijimit të shteteve të reja, që ishin “demokraci fshatare”, pa aristokraci të tyre, për dallim nga ajo që haset kudo në Evropë.

Popujt e Ballkanit, pas shpërbërjes së perandorisë osmane, për shkak të pretendimeve territoriale, përhapnin frikë e tmerr. Një udhëpërshkrues thoshte se grekët dinin të vidhnin, të përdornin armët dhe të vrisnin, që ishin dëfrimi i tyre. Shtetet ballkanike filluan të luftonin ndërmjet tyre, si në luftën e parë, po ashtu edhe në luftën e dytë ballkanike. Ata tentonin të pushtonin sa më shumë territore që dikur kishin qenë pjesë e perandorisë osmane. Tmerret e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve janë përshkruar nga shumë autorë.

Ballkani, sipas Mazoverit, ishte bërë sërish “mallkim në vetëdijen perëndimore” pas vrasjes së Ferdinandit nga nacionalisti serb Gavrillo Principi, më 1914. Një atentat i cili u shfrytëzua si shkak për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Në qarqe të ndryshme evropiane gjendja në Ballkan sërish u ndërlidh me periudhën osmane. U tha se kjo perandori e kishte ndarë Ballkanin nga pjesa tjetër e kontinentit, se kishte krijuar një epokë të errët në rajon, kurse Jorga e quante periudhë e “Bizantit pas Bizantit”. Kështu, perandoria osmane projektohej si diçka e huaj për vetëdijen evropiane, e pasi Ballkani kishte qenë pjesë e kësaj perandorie, edhe ai projektohej po ashtu. Për këtë shkak, sipas Mazoverit, ballkanasit, duke tentuar t’i përshtateshin logjikës evropiane, filluan t’i kërkonin rrënjët e shteteve të tyre në mesjetë, në periudhën para osmane. Elitat serbe, për qëllime politike, e krijuan mitin mbi Betejën e Kosovës dhe sajuan një trashëgimi shtetërore mesjetare, pra para osmane. Historianët grekë iu kthyen antikës, periudhës së Bizantit dhe historisë moderne, por e anashkaluan periudhën osmane. Kështu ndodhi edhe me popujt tjerë që kishin qenë pjesë e perandorisë osmane.

“Në Ballkan çështja e vazhdimësisë, e ndërprerjes dhe trashëgimisë historike është e patejkalueshme, sepse preokupimet e shumta të teoricienëve dhe mendimit publik në vetë rajonin formësohen sipas asaj që Halecki e quan “këndvështrimi evropian”. Kjo jo se njerëzit atje (në Ballkan) kanë ndonjë prirje të çuditshme të përhumben në mjegullën e kohës, por sa më parë, as më pak e as më shumë, synohej që të hiqej dorë nga legjitimiteti i perandorisë osmane. Për anëtarësim në klubin evropian u bë i pashmangshëm rikonstruktimi i një diskursi për luftën nacionaliste kundër përçmimit perandorak. Pasionet dhe frika nacionaliste, me fjalë të tjera, janë shprehje e synimit që të prodhohet e kaluara historike, të cilën e kërkonte dhe mbase ende e kërkon Evropa” (f. 21).

Ballkanasit, pra, ndjenin nevojën që t’i dëshmonin virtytet e tyre, për sa kohë, në Evropë, shkruhej keq për Ballkanin.

Ngecja e Ballkanit, sipas Mazoverit, është edhe pasojë e formimit të vonshëm të shteteve – kombe, të formuar nëpërmjet kryengritjeve fshatare. Pasi fshatarësia ishte shumë e lidhur me kishën, ortodoksia u bë faktor i rëndësishëm politik në Ballkan. U bë shënjues i identitetit nacional. U bë “religjioni kombëtar” te serbët, grekët dhe bullgarët, por jo edhe te shqiptarët. Triumfi i nacionalizmit në Ballkan kishte ndikuar në dobësimin dhe shuarjen e perandorisë osmane, por shpesh ndodhte që zhgënjimi nga nacionalizmi të ngjallte nostalgji për këtë perandori, ku, sipas Mazoverit, bashkëjetesa religjioze kishte qenë më e pranuar se sa në gjithë botën tjetër të krishterë. Është e vërtetë se nuk kishte konflikte etnike, shkruan Mazoveri, por jo për shkak të tolerancës. Sipas botëshikimit osman nuk kishte term për kombin. Të krishterët përpiqeshin për “bashkësinë e besimtarëve” dhe jo për solidaritet etnik.

Mazoveri na thotë se që ta njohim Ballkanin duhet ta njohim historinë e tij. Në të kundërtën vetëm do ta paragjykojmë. Kjo histori, sipas tij, ka reflektuar në luftërat dhe ngjarjet e mëvonshme, përfshirë edhe luftërat në vitet 90 të shekullit XX, që ndodhën në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Gjithashtu, burimet e konflikteve duhet të kërkohen jo vetëm në Ballkan, por edhe jashtë tij.

Mazoveri duket se ka pretenduar që ta shkruajë një histori të pranuar nga të gjithë ballkanasit. Por kjo është e vështirë. Ballkani nuk ka një histori të shkruar dhe të pranuar nga të gjithë ballkanasit. Secili popull në Ballkan e ka historinë e vet, që bie ndesh me historinë e shkruar nga historianët e popujve të tjerë. “Historitë” ballkanase shërbejnë për konflikte të reja dhe jo si diçka që ka ndodhur dhe që nuk mund ta ndryshojmë.

Sipas Todorovës, Ballkani nuk është as më i mirë e as më i keq se pjesa tjetër e Evropës. Ballkani është shndërruar në “hartë mentale” ku të tjerët përpunojnë dhe prezantojnë informacionet mbi të, që zakonisht janë stereotipa.

Eduard Saidi mendonte se Ballkani, si nocion, është “konstrukt i Perëndimit”, kurse Mazoveri dhe Maria Todorova mendojnë se ai është konstrukt i të gjithëve, por edhe i ballkanasve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button