K.F. “Bashkimi” i Kumanovës bën përgatitjet për rikthim në fushën e gjelbër

Klubi i futbollit “Bashkimi” në Kumanovë i cili ka disa vite që has vështirësi të mëdha në funksionim, ka ndërmarrë iniciativë për t’u rimëkëmbur, njofton Portalb.mk. Së bashku me tifozët “ILIRËT” klubi në fjalë kërkon ndihmën nga të gjithë sportdashësit për ta arritur këtë qëllim.

Armend Destani është anëtar i trupit koordinues që do të kryejë gjitha përgatitjet për rifillimin e punës në këtë klub. Ai për Portalb.mk thotë se përgatitjet do ti fillojnë më 2 gusht dhe bën thirrje deri te ata që dëshirojnë të ndihmojnë të kyçen në këtë iniciativë.

“Kemi formuar një ekip të djemve që kryesisht vijnë nga shkolla jonë e futbollit. Ata janë të vendosur që bashkë me ne ta dërgojmë klubin në një ligë më të lartë në qershor të vitit të ardhshëm. Përgatitjet do t`i fillojmë me 2 gusht, me seriozitetin më të madh do të mobilizohemi që ta kalojmë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’i arrijmë qëllimet tona.” shprehet Destani.

Ai thotë se tani për tani janë duke i kompletuar të gjitha pajisjet e nevojshme sportive.

“Më vjen mirë që grupi i tifozëve ILIRËT janë rikthyer fuqishëm për ta përkrahur K.F. Bashkimin. Paralelisht kërkojmë ndihmë nga të gjithë sportdashësit e Bashkimit, është e mirëseardhur çfarëdo lloje ndihme nga kush do qoftë”, tha për Portalb.mk, Destani, anëtar i trupit koordinues.

Kujtojmë se K.F. Bashkimi ishte klubi i parë shqiptar në Maqedoni i cili fitoi Kupën e futbollit të Maqedonisë në sezonin 2004/05.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button