“Makedonija Pat” nuk e kosit barin përgjatë rrugëve, prandaj “Rrugët Shtetërore” do të angazhojë firmë private

Autostrada nga Shkupi në Gostivar, pastaj edhe i gjithë seksioni i rrugës deri në Ohër përmes Kërçovës dhe Debarcës është i mbuluar me bar dhe drunj. Degë të drunjve qëndrojnë të varura në rrugë, ndërsa gardhi mbrojtës nuk shihet sepse është i mbuluar me kaçuba dhe kullosa. Me degë druri janë të fshehura dhe shenjat e trafikut, shkruan SDK, njofton Portalb.mk.

Kjo pamje nuk është asgjë e re. Çdo sezon veror barishtet dhe gjelbërimi përgjatë rrugëve as nuk kositen as nuk shkurtohen nga ekipet e NP “Makedonija pat” kompani përgjegjëse për mirëmbajtjen e këtij korridori. Për shkak të barit të pakositur, rruga është e pasigurt, nuk ka shikueshmëri ndërsa është rritur edhe mundësia për zjarre.

Drejtori i NP “Maqedonia pat”, Gajur Kadriu thotë se ata s’kanë mjaft njerëz, as makineri are resurse që të mund t’i mirëmbajnë të gjitha rrugët në vend.

“Një ndërmarrje si kjo dhe në këtë gjendje nuk mund të mirëmbajë 4.700 kilometra rrugë. Ne punojmë, por nuk mund ta arrijmë kudo. Kemi 760 punonjës dhe mekanizim që është i vjetër që për vite me radhë nuk është rinovuar. Po hapen rrugë të reja, ndërsa ne as kemi punonjës të rinj, as kamionë të rinj për t’i mirëmbajtur ato. Nga 1,400 punonjës që kemi qenë, tani jemi përgjysmuar, ndërsa Ministria e Financave nuk na lejon punësime. Në rrugën drejt Ohrit po zhvillohen punime ndërtimore për të hapur autostradën. Ne intervenojmë, por për shkak të periudhës me shi është normal që bari të rritet shpejtë. Megjithatë ne do të intervenojmë që nesër” thotë Kadriu.

Drejtori Kadriu tha se funksionimi i kësaj kompanie duhet të ndryshojë tërësisht dhe për sa kohë që nuk bëhet kjo, përkatësisht nuk punësohen ende njerëz dhe nuk pranojnë pajisje të re mbështetje do të kërkojnë nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore.

Dhe drejtori i “Rrugëve shtetërore”, Zoran Kitanov, thotë se “Makedonija pat” s’ka kapacitet për të mirëmbajtur vetë rrugët, prandaj sikurse vitin e kaluar kanë shpallur një tender për të angazhuar firmë private. Tenderi është në fazën përfundimtare dhe sapo të nënshkruhet kontrata, do të bëhet intervenimi përgjatë autostradave.

“Makedonija pat s’ka kapacitet për të mirëmbajtur rrugët, prandaj kemi rënë dakord që ne t’i marrim segmentet e Korridorit 8 dhe 10, ndërsa atyre do t’u mbeten rrugët rajonale. Tenderi ka përfunduar, vetëm jemi duke pritur që këtë ditë të përfundojë edhe afati i fundit për apelim. Kjo punë paksa u zgjat për shkak se tenderi i parë dështoi e pastaj kishim zgjedhje presidenciale. Por brenda një kohë shumë të shkurtër, kompania që do të fitojë tenderin do të fillojë punën dhe kjo situatë do të tejkalohet”, thotë Kitanov.

Shuma e parave dhe kompania private që do të mirëmbajë një pjesë të rrugëve në vend, nga Rrugët shtetërore thonë se do të dihet kur të nënshkruhet kontrata, përkatësisht pas përfundimit të periudhës së ankesave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button