Brukseli bëri thirrje të zgjidhet statusi i PSP-së, pavarësisht dorëheqjes së Janevës

Fushat kyçe në të cilat Brukseli dëshiron të shohë zhvillim deri në vjeshtë, nëse duam dritë jeshile për fillimin e bisedimeve në tetor janë reformat në gjyqësor, sundimin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, tha ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar dhe porositi se nuk do të hyjmë në BE, por duhet ta pranojnë Unionin në vendin tonë, njofton Portalb.mk.

“Vendimi për datën duhet të miratohet, por vendi vetëm se e ka filluar rrugën drejt BE-së me skriningun sqarues, ndërkaq ajo do ta shkurtojë kohën kur të fillojnë bisedimet për anëtarësim. Është e domosdoshme të vazhdoni me zbatimin e reformave, ndërkaq kyçe janë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit”, tha euroambasadori Zhbogar.

Zhbogar ka shprehur mbështetje për Prokurorinë Publike për hapat vendimtar.

“Ka pasur hapa vendimtar nga ana e Prokurorisë Publike. Ne i përkrahim aktivitetet e tyre dhe njëkohësisht njëjtë presim që të zgjidhet çështja e funksionimit të zyrës së Prokurorisë Speciale Publike. Me dorëheqjen e Janevës bëhet trysni shtesë dhe përgjegjësi ndaj liderëve politik dhe ndaj Kuvendit që të gjejnë zgjidhje”, tha euroambasadori.

Ndryshe, opinion në Maqedoninë e Veriut është i shokuar me ngjarjet e fundit rreth rastit “Reket”, në të cilin dyshohet të jetë e përfshirë në një aferë korruptive kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, e cila pak orë para se të hapej rasti, dha dorëheqje nga posti. Janevës, i është konfiskuar edhe telefoni, për siç konfirmuan sot nga Prokuroria Themelore Publike, “për aktivitete të mëtutjeshme për lëndën” të cilin e hapi Prokuroria Themelore Publike për rastin e reketimit të biznesmenëve nga dy të dyshuarit Bojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13” dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçaec. Të dy dyshohet që i kanë kërkuar biznesmenit kontrovers Orce Kamçev, para që të ndikojnë te prokurorja Janeva për të ndaluar procedurat penale, ose për t’ia lehtësuar përndjekjen. Reketuesit fillimisht i kanë kërkuar Kamçevit 8 milionë euro, por pasi që nuk ka pranuar i kanë kërkuar 4 milionë, por as këtë shumë ai nuk ua ka dhënë. Pastaj, të dy ia kanë zbritur tarifën në 1.5 milionë euro, pas së cilës, Kamçev i ka paraqitur në Prokurori. Prokuroria thotë se ka dëshmi audio dhe video. Prokuroria Speciale është distancuar nga Janeva, në rast se ajo është përfshirë në rast.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button