Gazetarët pakistanezë protestuan kundër censurës

Gazetarët në Pakistan kanë organizuar protesta anembanë vendit, për të denoncuar censurën nga shërbimet e fuqishme të ushtrisë dhe sigurimit të vendit, pushimet nga puna për shkak të shkurtimeve buxhetore, dhe vonesave mujore të pagave të tyre, raporton REL.

Protestat, më 16 korrik, drejtohen nga Unioni Federal i Gazetarëve të Pakistanit për të luftuar, siç është thënë, “censurën e pashembullt”.

Afzal Butt, kryetar i Unionit, tha se tubimet janë vetëm “fillimi i një lëvizje protestuese”.

“Nga sot, ne kemi nisur një lëvizje për të drejtat e gazetarëve”, tha Butt.

“Rreth 5.000 gazetarë kanë humbur punën e tyre në tetë muajt e fundit dhe ne besojmë se kjo është një vazhdim i censurës” tha ai.

Organizata “Reporterët pa kufij”, javën e kaluar, dënoi një vendim të Pakistanit për të pezulluar nga rrjeti kabllor, tre kanale televizive, për shkak të transmetimit të një konference shtypi të opozitës.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) pati thënë në një raport se klima për lirinë e shtypit në Pakistan po përkeqësohej, pasi ushtria e vendit” në heshtje, por në mënyrë efektive” kufizon raportimin nëpërmjet “kërcënimeve” dhe mjeteve të tjera.

Pakistani renditet në vendin e 142 nga 180 vende të listuar në Indeksin e Lirisë Botërore të Shtypit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button