“Skandaloze” është kur gazetari shkruan për akuza të rënda pa i dëshmuar ato

Burimi: KriThink

Në disa media të Maqedonisë së Veriut ekziston një lloj “frike” për të shprehur hapur animin e ndonjë mediumi ndaj ndonjë subjekti të caktuar politik, pavarësisht se një gjë e tillë nuk është e ndaluar nëse bëhet në mënyrë të hapur dhe adekuate. Atëherë të gjithë do e dinë se je i afërt me X partinë, dhe ke bllok të veçantë për marketing politik që e mbështet politikën e atij subjekti, por ama pjesën tjetër të lajmeve e ke profesionale. Por kjo te lajmi që e recensojmë nuk ndodh.

Foto screenshot nga lajmi që recensohet
Foto screenshot nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Skandaloze, Taravari pranon që po kryen presion, revanshizëm, diferencim dhe hakmarrje politike(Foto)

Data e publikimit: 03.07.2019

Data e recensionit: 14.07.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Kur mediat nuk ndahen nga subjektet politike, punët janë bërë lëmsh

Disa media i kanë përzier kategoritë e publikimit dhe në një vend i publikojnë kumtesat politike dhe porositë partiake, informacionet dhe lajmet si dhe madje edhe komentet në Fejsbuk.

I tillë është rasti në tekstin që po e recensojmë. Nga ky tekst vërejmë se autori ka krijuar një informatë që nuk është lajm dhe që është i përafërt me bindjen e tij dhe këtë e mbulon me një status në Fejsbuk të një ish të punësuari në kabinetin e kryetarit të Gostivarit, Nevzat Bejta.

Manipulim me titull bombastik!

Kur që në titull nxirret kjo konkluzë : “Skandaloze, Taravari pranon që po kryen presion, revanshizëm, diferencim dhe hakmarrje politike(Foto)”, çfarë të mendojë më shumë lexuesi në këtë rast. Në pamje të parë duket se autori ka ndonjë foto me të cilën dëshmon se Taravari bën revanshizëm ose presion, ndërsa në tekst është fotografia e statusit të ish të punësuarit në administratën komunale, dhe ky është manipulim klasik. Gazetari e ka për obligim ti ofrojë lexuesit atë që ia ka paralajmëruar, e jo ta mashtrojë.

Lexuesit kanë të drejtë për informata të sakta, sipas nenit të parë të Kodit Etik.

  1. Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

Shkrim i njëanshëm, pa verifikim, pa fakte dhe argumente

Çdokush mund të shkruajë status në Fejsbuk, por kjo nuk do të thotë se nga kjo duhet bërë lajm pa e verifikuar saktësinë e pohimeve të autorit të shkrimit. Aq më pak me dozë shtesë komentesh të vetë autorit.

Manipulimi i autorit gjithashtu qëndron në faktin se ka zgjedhur të publikojë një deklaratë nga një person që ka punuar për subjektin kundërshtar të kryetarit aktual Arben Taravari. Autori i lajmit nuk e ka verifikuar vet në terren me fakte dhe argumente që do të dëshmonin pohimin që e ka bë ish i punësuari. Nuk ka marrë mundimin as të verifikojë denoncimin as nëpërmjet të punësuarve në komunë.
Autori nuk ka kontaktuar as edhe Taravarin për të marrë qëndrim për atë që akuzohet. Kjo që thuhet është një akuzë shumë e rëndë dhe duhet të dëshmohet në mënyrë të thuktë.

E si ti besohet një lajmi të tillë?

Autori nuk e ka lënë temën të zbehet vetëm me statusin e ish kryetarit të kabinetit, e ka përcjellë edhe statusin e kryetarit aktual të cilit i janë drejtuar akuzat dhe prej një fjale të tij ka bërë “film” të tërë.“Por befasuese ka qenë përgjigja e Taravarit po në Fejsbuk.“Çdo të mbjellësh, do të korrësh! Një e moçme por gjithmonë trendy”, shkruan Taravari duke lejuar që të kuptohet se po bën presion, revanshizëm, diferencim dhe hakmarrje politike”, shkruan në tekstin që po e recensojmë.

Autori e ka mbushur tekstin e tij me gjoja denoncimet e vazhdueshme të degës së BDI-së në Gostivar për veprimet e Taravarit. Por, autori nuk ka dhënë më shumë informata se cilat janë këto denoncime, kur janë bërë, sa herë dhe ndaj kujt? Autori ka marrë për të mirëqenë kumtesat partiake të kundërshtarit politik të Taravarit.

Kur lexoni se dikush akuzon, kërkoni të gjeni dëshmitë në tekst

Leksioni për lexuesit nga ky tekst do të ishte që të mos lexojnë lajme që janë në favor vetëm të një pale apo në disfavor të një pale tjetër. Mos lejoni të ndikojnë në formimin e mendimit tuaj lajmet që janë gjysmake, pa dëshmi dhe pa argumentim për akuza të mëdha. Pa fotografi të plotë nuk mund të bëni vlerësim të drejtë. Ky informacion mund edhe të ishte i vërtetë, por nuk është i trajtuar në mënyrë adekuate dhe me parimet gazetareske dhe kështu madje e zhvlerëson ngjarjen.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button