Komisioni kundër diskriminimit për gjuhën e urrejtjes vendos në mënyrë selektive

Komisioni kundër diskriminimit ka marrë vendime në mënyrë selektive për parashtresat që janë parashtruar nga qytetarë apo organizata joqeveritare – tregon Raporti për implementim të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi 2011-2018 i Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi.

Për disa parashtresa është vendosur në mënyrë ekspeditive – siç ka qenë shembulli me Gruevskin, ndërsa për të tjerë është pritur të vjetrohen. Selektivitet ka edhe në vendimet – anëtarët nuk kanë parë diskriminim kur deputetë apo media të cilat kanë qenë përkrahës të pushtetit të mëparshëm janë denoncuar për përhapje të gjuhës së urrejtjes, transmeton Portalb.mk.

Rasti më indikativ që e ka shënuar vitin 2018, siç është përmendur në raport, është rasti i diskriminimit mbi ish kryeministrin Nikolla Gruevski nga ana e Gjykatës themelore Shkup 1 dhe gjyqtares Dobrilla Kacarska në lëndën “Tenk”, kur Komisioni ka vepruar shpejtë dhe para afatit ligjor.

“Me mendim të këtillë të Komisionit tërësisht e vë në pikëpyetje kredibilitetin për ushtrim të mandatit të këtij institucioni. Komisioni jo vetëm që ka konstatuar diskriminim pa e arsyetuar bazën e diskriminimit (status personal dhe familjar) dhe ka konvokuar mbledhje jashtë praktikës së vendosur, por parashtresës së ish kryeministrit i ka dhënë përparësi para parashtresave tjera për të cilat afati ligjor prej tre muajve kishte skaduar shumë kohe më parë” shkruan në Raport.

Anëtaret e Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi në tre vitet e kaluara kanë parashtruar 19 parashtresa dhe Komisioni ende nuk ka vepruar mbi të njëjtat edhe pse kanë kaluar edhe më shumë se një vit.

Për ata simptomatik është vendimi i Komisioni që nuk ka konstatuar shkeljen e të drejtave të një gej djaloshi i cili ka denoncuar se ka qenë i ofenduar dhe  i ngacmuar psikikisht nga ana e psikologut në ISHP Poliklinika “Bukuresht”. Pavarësisht pohimeve në kallëzim se djalit iu kanë shkelur një sërë të drejtash të garantuara me ligj dhe ka pësuar diskriminim në bazë të orientimit seksual dhe gjendjes shëndetësore, Komisioni ka konstatuar që “nuk ka diskriminim, për shkak se në parashtresën nuk ka prova që e konfirmojnë autenticitetin e bisedës me shqetësimet në bazë diskriminimi”. Në pajtim me Ligjin për parandalim dhe mbrojtja nga diskriminimi, obligimi për të dëshmuar hidhet në anën e kryerësit potencial, por dukshëm Komisioni nuk e ka zbatuar këtë rregull dhe ka vendosur në mënyrë arbitrare për të mos i marrë parasysh të dhënat e pacientit – shkruan në Raportin e Rrjetit për anti-diskriminim.

Dy vitet e kaluara, Komisioni aspak nuk ka reaguar ose i ka refuzuar edhe parashtresat që janë parashtruar për përhapje të gjuhës së urrejtjes kundër gazetës “Veçer” dhe portaleve “Kurrir”, “Infomaks” dhe “Pulls24”. Në lajmin nga autor anonim ndërsa me titull “Sajt homoseksual maqedonas u kanoset të miturve në Fejsbuk” të cilin e kanë transmetuar të gjitha këto media, Komisioni nuk ka vërejtur të stigmatizohen homoseksualët dhe krijohet frikë irracionale prej këtyre personave në publik, por ka marrë vendim se bëhet fjalë për lirinë e të shprehurit. I ngjashëm është shembulli edhe me lajmin që gjithashtu është transmetuar nëpërmjet një numri të madh të këtyre mediave me titull: Fëmijët do të mësojnë nga homoseksualiteti, LGBT do të bëhet komunitet i mbrojtur, ndërsa Ivon Veliçkovski do t’ua përkrah të drejtat!” Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi e ka refuzuar parashtresën për shkak se nuk ka detektuar diskriminim, përkatësisht gjuhë të urrejtjes.

Igor Jadrovski, i cili është njëri nga autorët e raportit, ka thënë që Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi ka vepruar ndryshe në raste të njëjta apo identike varësisht nga përkatësia politike e diskriminuesit potencial. – Për shembull, Komisioni nuk ka konstatuar ngacmim në rastet e gjuhës së urrejtjes ndaj pjesëtarëve të LGBTI në mediat e afërta me pushtetin e atëhershëm, derisa ka konstatuar diskriminim për përmbajtje të ngjashme në portale të vogla dhe lokale, ka thënë Jadrovski.

Si shembuj pozitiv përmenden vendimet e Komisionit për diskriminim të personave të përkatësisë rome të cilëve u është ndaluar të futen në pishinë në lagjen Aerodrom të Shkupit dhe në pishinën në Prilep.

Komisioni për luftë kundër diskriminimit deri më tani nuk ka iniciuar asnjë procedurë gjyqësore me obligim zyrtar për mbrojtje nga diskriminimi. Nëse Komisioni nuk e ndjek zbatimin e rekomandimeve, ndërsa dënimet janë vetëm simbolike, praktika diskriminuese do të vazhdojë.

Në përgatitje është Ligj i ri për këtë komision që duhet të bëhet Agjenci dhe të zgjedhet përbërje e re.

Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, personi që “shpërndan materiale raciste dhe ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik”, dënohet me burg prej 1 deri në 5 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button