Mitsotakisi u betua si kryeministër i Greqisë

Kyriakos Mitsotakis betohet një ditë pas fitores në zgjedhje. Kryeministri i ri u betua në prani të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Çfarë pritet të ndodhë me qeverisjen e tij dhe raporti me Shqipërinë, njofton Shekulli.

Pas një takimi të shkurtër me presidentin e vendit, u betua në prani të kryepeshkopit të Athinës. Të martën do të mbahet betimi i qeverisë. Aleksis Tsipras ka pranuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që u zhvilluan të dielën. Me anë të një telefonate, kryeministri në ikje i Greqisë e ka uruar për fitoren kryetarin e Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis.

Nga ana e tij kreu i Demokracisë së Re e falënderoi Tsiprasin për telefonatën. Ceremonia e dorëzimit të detyrës dhe e pritjes do të zhvillohet sot në rezidencën Maximos, menjëherë pas betimit të Kyriakos Mitsotakis në Pallatin Presidencial në orën 13:00.

Raporti i Mitsotakis me Shqipërinë

“Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë integrimin evropian”.

Ky ishte paralajmërimi i Kyriakos Mitsotakis, pak para zgjedhjeve të parlamentit evropian, njeriut që ka veshur “kostumin” e kryeministrit të ri të Greqisë fqinje.

Fitorja e tij nuk mund të lërë indiferent opinionin publik shqiptar, jo vetëm për shkak të emigrantëve të shumtë që jetojnë e punojnë në Greqi, por edhe për shkak të retorikës shpesh herë të ashpër që vetë Mitsotakis, partia e tij apo dhe familja e tij ndër vite kanë ndjekur ndaj Tiranës zyrtare. Së bashku me përgjegjësinë e udhëheqjes së vendit të tij, Mitsotakis do të ketë tanimë në dorë edhe të ardhmen e marrëdhënieve Athinë-Tiranë, krijimin e një atmosfere më të mirë për emigrantët shqiptarë atje edhe zgjidhjen e çështjeve të papërfunduara mes dy vendeve.

Gjatë kohës që ishte në opozitë, ai ka dalë kundër marrëveshjes së detit të hartuar nga ish-ministrat Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, edhe pse një dokument i tillë nuk është bërë kurrë publik, por edhe ka paralajmëruar për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, pa u respektuar te drejtat e minoritetit grek dhe të pronave të tyre.

Pasi thirri në Athinë përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri, Mitsotakis përdori një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë shqiptare, duke thënë se Tirana zyrtare duhet të respektojë të drejtat e tyre nëse dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Greqinë dhe nëse dëshiron të bëjë përparime në hapjen e bisedimeve të pranimit me BE.

Sigurisht, në kohën që ai ishte lider i opozitës, këto deklarata nuk kishin shumë peshë në skenën politike shqiptare, por tani që ka veshur “kostumin e pushtetit”, Mitsotakis ka të ngjarë të shndërrohet në një faktor të fuqishëm politik për rajonin. Në deklaratat publike, Mitsotakis ka folur me tone të ashpra ndaj shqiptarëve, duke u shprehur mjaft skeptik edhe për çeljen e negociatave me vendin tonë, por edhe për bashkëpunimin me qeverinë aktuale. Duke komentuar vrasjen e Konstantinos Kacifas më 28 tetor, Mitsotakis tha se udhëheqja politike shqiptare u përpoq të shfrytëzonte incidentin tragjik për të përforcuar imazhin e saj në frontin politik të vendit.

Mitsotakis dhe Maqedonia e Veriut

Në janar të këtij viti, partia e opozitës Demokracia e Re, votoi kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës me Maqedoninë e Veriut. Udhëheqësi i opozitës Kyriakos Mitsotakis deklaroi se marrëveshja do të krijojë më shumë probleme për Greqinë sesa do të zgjidhë.

A do të ndikojë fitorja e Mitsotakis në marrëdhëniet midis Athinës dhe Shkupit, të cilat kanë përparuar drejt normalizimit të plotë gjatë mandatit të Alexis Tsipras? Përgjigjja është – pak gjasa, mendon Nikolaos Tzifakis, profesor i asociuar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit dhe anëtar i BiEPAG-ut.

“Marrëveshja e Prespës nuk ishte çështja kryesore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore. Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se ai nuk do të vinte në pikëpyetje një marrëveshje që është ratifikuar nga shteti grek”, shpjegon Tzifakis.

Kjo është në përputhje me pozitën e Mitsotakis nga janari. Edhe pse ai kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj marrëveshjes, ai gjithashtu deklaroi se “sapo një marrëveshje të jetë ratifikuar, shumë pak mund të bëhet për ta ndryshuar atë”. Megjithatë, Tzifakis kujton se kryeministri i ri, babai i të cilit Konstantinos ishte gjithashtu kreu i qeverisë në fillim të viteve 1990, kur tensionet mbi emrin e Maqedonisë të ri të pavarur ishin në kulmin e tyre, do të pranojnë vetëm një zbatim të plotë të marrëveshjes.

LEXO EDHE: Pritjet e Shkupit nga Qeveria e Mitsotakisit për Marrëveshjen e Prespës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button