Ish kryetari i Gjykatës Penale, Pançevski akuzohet për keqpërdorim të sistemit për shpërndarjen e lëndëve AKMIS

Prokuroria Themelore Publike pas mbledhjes së dëshmive materiale dhe verbale, pas një viti e gjysmë, sot ka dorëzuar akuzë kundër një personi, ish kryetar i Gjykatës Penale të Shkupit (Vlladimir Pançevski, shkrim i redaksisë), për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, sipas nenit 353 paragrafi 1 në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal, njofton Portalb.mk.

Prokuroria ka konfirmuar se në periudhën prej 23 janar 2013-të deri në 14 shtator të vitit 2016-të, i akuzuari si person zyrtar – kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 1, me paramendim ka kryer disa veprime që paraqesin shkelje penale, dhe tejkalim të kompetencave. I akuzuari i ka shkelur të drejtat e tjetrit, duke vepruar në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 1 nga Ligji për menaxhim me lëndët në gjykata dhe të nenit 7 nga Ligji për Gjykata.

Vlladimir Pançevski
Vlladimir Pançevski

Edhe pse ka qenë i obliguar ta ndjekë gjendjen e menaxhimit të lëndëve në Gjykatë, veçmas në formimin e lëndëve, dorëzimin e lëndëve në punë dhe gjendjen me funksionimin e sistemit automatik për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore, i akuzuari, si kryetar i Gjykatës ka ndikuar ndaj mënyrës së ndarjes së lëndëve që kanë ardhur në Gjykatë.

I akuzuari me vendosjen e inicialeve të tij dhe me urdhër gojor deri te të punësuarit në Gjykatë që kanë pasur qasje deri te sistemi AKMIS, ka dhënë urdhër që të ndahen lëndë konkrete në mesin e gjykatësve të cilët kanë qenë jashtë kohës së pranimit të lëndës në gjykatë, por edhe udhëzim se cilit gjykatës t’i ndahet lënda. Me këto veprime, i akuzuari palëve ua ka shkelur të drejtën e qasjes së barabartë përpara Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe interesave themelore.

Gjatë periudhës kohore, e cila në mënyrë të detajuar është hulumtuar nga ana e prokurorit publik, është konstatuar se me dhënien e nënshkrimit të shkurtuar, i akuzuari ka urdhëruar që të ndahen te gjykatës konkret katër lëndë, të dorëzuara nga Prokuroria e Shkupit, të dy lëndëve që në Gjykatë janë dorëzuar për procedurë të mëtutjeshme nga Gjykata e Negotinës dhe Kumanovës, të 41 lëndëve të dorëzuara nga Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe të dy akuzave të dorëzuar nga Prokuroria Speciale.

Prokurori kompetent nga Prokuroria e Shkupit i cili e përfaqëson lëndën, i ka ndërmarrë masat konkrete për pastrimin e lëndës dhe konstatimin e fakteve në lidhje me keqpërdorimin e AKMIS-it.

Pas pranimit të raportit, është kryer ekspertizë në funksionalitetin e sistemit dhe mbikëqyrje të zbatimit të dispozitave nga Rregullorja gjyqësore në Gjykata, të dorëzuar nëpërmjet Prokurorisë Themelore Publike të Maqedonisë së Veriut më 29 janar të vitit 2018-të, më 5 shkurt 2018-të është dorëzuar kërkesë për deklasifikim të raportit deri te Ministria e Drejtësisë. Përgjigja për deklasifikim ka arritur më 22 shkurt, pas së cilës në mënyrë intensive janë marrë masa parahetimore.

Në kuadër të procedurës parahetimore, Prokuroria ka marrë në pyetje 19 persona në cilësinë e dëshmitarëve dhe atë të punësuar nga Gjykata Themelore Shkupi 1, Gjykata e Apelit Shkup, Gjykata Supreme dhe Ministria e Drejtësisë.

Për shkak nevojës në lëndë, dy prokurorë publik, gjatë tre javëve në mënyrë të vazhdueshme kanë kryer ekspertizë në Gjykatën penale – Shkup gjatë së cilës është kontrolluar materiali.

Për Portalb.mk, nga Prokuroria thonë se nuk kanë propozuar asnjë masë kundër ish kryetarit të Gjykatës.

Në fund të vitit 2017-të Ministria e Drejtësisë e publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Pas kontrollit të bërë në Gjykatën e Apelit, është vërejtur se numri i madh i lëndëve gjyqësore nuk janë ndarë te gjykatësit e procedurës së caktuar për procedurë paraprake dhe se lëndët janë ruajtur në regjistër. Në Gjykatën Supreme është vërtetuar se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale dhe se nuk ka qenë i formuar as grup punues për ndarjen e lëndëve. Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se dhe këtu lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët i theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS.

“Ka pasur rregulla të rrepta që e rregullojnë shpërndarjen e lëndëve, të realizuara nëpërmjet një sistemi elektronik të menaxhimit të çështjeve, në shtator, Prokuroria Publike e Shkupit ka marrë në pyetje disa persona, pasi një auditim i vitit 2017 ka zbuluar se sistemi i caktimit të gjyqtarëve për të trajtuar raste specifike ishte manipuluar. Mediat kanë njoftuar se prokurorët kishin thirrur ish “gjykatësin kryesues” të Gjykatës Penale të Shkupit, Vlladimir Pançevski dhe të Gjykatës Supreme të Drejtësisë Jovo Vangellovski”, thuhet në raportin e DASH për vitin 2018-të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button