Kur do të fillojë të dënohet urrejtja?

Amendamentet e Kodit Penal lidhur me kriminalitetin e urrejtjes që kaluan në Kuvend në shtatorin e kaluar ishin njëra ndër pikat kryesore ku Maqedonia e Veriut u lëvdua nga Komisioni Evropian në Raportin e progresit. U përshëndet vullneti për të ndryshuar esencialisht Kodin Penal në më tepër nene me qëllim që të krijohen kushte ligjore që kjo formë e kriminalitetit të identifikohet dhe të dënohet më ashpër.

Por realiteti gjyqësor edhe pas ndryshimeve ligjore, edhe pas dy viteve qeverisjeje të re dhe atmosfere të re pune, mbetet ende shumë i varfër. Ende nuk është sjellë asnjë aktgjykim që do të dënojë një krim si krim të urrejtjes, do ta identifikojë si të tillë, do ta dënojë më ashpër se sa një krim normal dhe do të përçojë mesazhin se urrejtja nuk tolerohet.

Vepër penale e urrejtjes është çdo vepër e paraparë në Kodin Penal që është kryer me motiv diskriminues. Kështu, nëse ndaj një personi është kryer vrasje, lëndim trupor, vjedhje, dhunim, ose ndonjë vepër tjetër penale për shkak të racës, ngjyrës së lëkurës, përkatësisë etnike, nacionalitetit, përkatësisë ose bindjes fetsre, gjinisë, orientimit seksual, indentitetit gjinor, invaliditetit, ose bindjeve të tija politike, ky paraqet një krim të urrejtjes. Sipas Kodit Penal kriminaliteti i urrejtjes është i dënueshëm që nga viti 2009 dhe 2013 kur janë bërë ndryshimet e para të Kodit në këtë drejtim dhe është vendosur përgjegjësi penale më e rëndë për çdo vepër e cila është kryer me motiv diskriminues ndaj viktimës.

Që atëherë, gjykata gjatë matjes së dënimit është e detyruar që të shqyrtojë nëse vepra penale është kryer për shkak të ndonjë motivi diskriminues dhe në atë rast këtë ta trajtojë si rrethanë rënduese për veprën. Që në atë kohë në Kodin Penal janë njohur të paktën pesë vepra penale që dënojnë forma të rënda të gjuhës së urrejtjes, si për shembull, Shkaktimi i urrejtjes dhe ndasive etnike racore fetare, ose Përhapja e materialit ksenofobik përmes rrjetit kompjuterik.

Dhe megjithatë, tipa si Milenko, Mirka, Janko, e të tjerë lirshëm kanë vjellur me vite të tëra urrejtje ndaj të gjitha etniteteve jo-maqedonase në këtë shtet, e posaçërisht ndaj etnitetit shqiptar. Dhe momentalisht Milenko është në procedurë penale lidhur me gjuhën e urrejtjes së përdorur gjatë zjarreve të vitit të kaluar në Greqi. Është shumë mirë që ai të dënohet për idiotizmat që i tha dhe i shkruajti lidhur me këtë rast. Njëherit, është absurde që ai dënohet për fyerjet që u ka bërë shtetasve të një vendi tjetër e të mos dënohet për gjithë ato gjëra makabre, morbide dhe çnjerëzore që i ka thënë për shqiptarët dhe komunitetet tjera në këtë vend.

Me ndryshimet e rreja të Kodit Penal është vendosur definicion i saktë dhe i qartë për krimet e urrejtjes, është vendosur poashtu detyrim për gjyqtarët që të sqarojnë dhe argumentojnë pse nuk e kanë konsideruar motivin diskriminues të veprës si rrethanë rënduese gjatë matjes së dënimit. Poashtu, pas këtyre ndryshimeve ka gjithsej 26 vepra penale të cilat bëhen të kualifikuara (pra automatikisht bëhen më të rënda) kur kryhen për shkak të urrejtjes.

Po ashtu, duhet pasur parasysh që gjatë procesit të mbledhjes së dëshmive, prokuroria nuk ka nevojë të dëshmojë se vepra penale është kryer sepse kryesi e ka urrejtur viktimën (urrejtja është ndjenjë subjektive, emocion që vështirë dëshmohet me dëshmi gjyqësore), por duhet të dëshmojë se vepra penale është kryer për shkak të ndjonjë karakteristike të mbrojtur të viktimës që lidhet me identitetin e saj. Pra nuk ka nevojë të dëshmohet emocioni i urrejtjes si i tillë por vetëm karakteri diskriminues i veprës penale. Për këtë dhe për mënyrën si identifikohen dhe ndiqen krimet e urrejtjes, OSCE-ODIHR ka mbajtur trajnime të rregullta me policët, prokurorët dhe gjykatësit tanë për vite me radhë.

E megjithatë, rezultati i këtij investimi është tërësisht i palakmueshëm: Ne nuk kemi ende statistika zyrtare publike për atë se sa incidente të urrejtjes janë identifikuar nga policia. Dëgjoj se MPB ka krijuar mekanizëm identifikimi dhe ka arritur të identifikojë incidente të cilat i ka procesuar si krime të urrejtjes, por këto të dhëna nuk janë publike.

Nga ana tjetër, Komiteti i Helsinkit gjatë viteve 2013-2018 ka detektuar gjithsej 508 incidente të urrejtjes. Asnjëri nga këto incidente nuk është procesuar si krim i urrejtjes dhe nuk ka mbaruar me aktgjykim dënues si i tillë. Ndoshta për këto incidente ka pasur aktgjykime dënuese, por ato janë dënuar si vepra normale penale, dhe jo si krime të urrejtjes. Ky po që është një dështim total i prokurorisë dhe gjyqësisë që deri më tani, pas gjithë këtyre viteve, pas gjithë atyre trajnimeve dhe parave të harxhuara, nuk ka qenë në gjendje të dënojë asnjë krim si krim të vërtetë të urrejtjes.

Kështu nuk shkon, të nderuar prokurorë e gjykatës. Kështu nuk rruhet kohezioni ndëretnik në vend, kur dihet se mbi 300 incidente nga ato 508 të identifikuarat nga Komiteti i Helsinkit janë incidente të urrejtjes ndëretnike. Duhet përfundimisht të gjehet guxim që kjo çështje të trajtohet me seriozitetin e duhur e jo të fshihet ndër qilim ashtu si është bërë më parë. Nuk mund të ndërtohet një shoqëri për të gjithë pa dënim të hapur dhe të vendosur ndaj krimeve të urrejtjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button