Limaj: Pas largimit të PSD-së nuk ekziston Ekipi Negociator, emërimi i Borrellit – shqetësuese

Me dorëheqjen e Partia Socialdemokrate (PSD) nga Ekipi Negociator, sipas Fatmir Limajt gjithçka mbetet e pezulluar.

Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Limaj tha se fillimisht po pret t’i dëgjojë opinionet e partnerëve të koalicionit.

“Në Kosovë gjithmonë ka pasur kritikë për mos transparencë, mos përfshirje të Kuvendit në dialog. Nuk do të doja asnjëherë ta shoh vendin tim në atë situatë ku një pjesë e madhe e spektrit politik mbeten vëzhgues”, ka thënë Limaj. “Nuk mund të flasim më për një ekip negociator përderisa PSD ka dhënë dorëheqje sepse nuk është më gjithëpërfshirës. Kam kërkuar që partnerët e koalicionit të ulen dhe të bisedojnë se si e shohin këtë temë tash”, tha Limaj.
“Qëndrimi im dhe i partisë që përfaqësoj është se duhet të jemi unik ndaj Serbisë. Prandaj, kam ftuar partnerët e koalicionit të flasin dhe të tregojnë se çka mendojnë për këtë temë, dua t’i dëgjojë”, u shpreh
Limaj.

Ndër të tjerash, Limaj ka komentuar edhe kryesinë e re të Bashkimit Evropian. Sipas tij, Kosova e ka pritur me skepticizëm emërimin e spanjollit Josep Borrell si përfaqësues i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, pozicion të cilin deri më tani e ka mbajtur Federica Mogherini.

Siç dihet Borrell vjen nga Spanja, vend ky që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Limaj ka propozuar që zëvendësuese e Mogherinit, si ndërmjetësuese në dialog, të jetë kandidatja për presidente të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që momentalisht është Ministre e Mbrojtjes së Gjermanisë.

“Me skepticizëm dhe shqetësim e kemi parë si Kosovë emërimin e Borrellit dhe rreziku është që në tavolinën e bisedimeve të kemi qëndrimin e Spanjës. Se si do të vazhdojë, ta shohim. Mendoj që si Kosovë duhet të kërkojmë që rolin e ndërmjetësuesit ta merr kandidatja për presidente të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kështu edhe procesi do të ketë dinamikën dhe rëndësinë e vetë”, ka thënë Limaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button