“Ekosvest”: Apel për komunitetin e energjisë për favorizimin e hidrocentraleve të vogla

“EkoSvest” (“EkoVetëdija”) dhe CEE Bankwatch Network dje kanë dërguar një ankesë deri te Komuniteti i energjisë për shkak të dekretit të qeverisë për të mbështetur prodhimtarinë e energjisë elektrike nga burime rinovuese që favorizon padrejtësisht hidrocentralet e vogla para burimeve tjera të energjisë, transmeton MakFax.

Maqedonia është nënshkruese e Marrëveshjes së Komunitetit të Energjisë që ndalon “çdo lloj ndihme publike me të cilën çrregullohet ose kërcënohet të çrregullohet konkurrenca duke favorizuar ndërmarrje të caktuara ose burime të caktuara të energjisë”.

“Në vitet e fundit, hidrocentralet e vogla po bëjnë kërdi nëpër vendet e Evropës Juglindore – duke përfshirë edhe vendin tonë – për shkak të zhvillimit të tyre të shpejtë, shpesh në zona të mbrojtura, dhe pa zbatim të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Megjithatë, korniza e re ligjore, e miratuar nga qeveria në shkurt të këtij viti, lejon numër të pakufizuar të hidrocentraleve nën dhjetë megavat për të vazhduar marrjen e subvencioneve operative në formën e tarifave të volitshme. Njëkohësisht, fotovoltaikët diellorë nuk mund të marrin fare tarifë të volitshme, pavarësisht sa janë të mëdhenj. Të gjitha kuotat e mullinjve të erës tashmë janë rezervuar, ndërsa vetëm për disa megavat të biomasës dhe biogazit ende mund të merret mbështetje operacionale “, thuhet në deklaratë.

“Zëvendëskryeministri Koço Angjushev ka një numër të madh hidrocentralesh të vogla dhe kabineti i tij është i përfshirë ngushtë në hartimin e legjislacionit në sektorin e energjisë. Prandaj, vendimi i Qeverisë për t’i dhënë prioritet hidrocentraleve të vegjël duket e dyshimtë”, tha Davor Pehçevski nga Ekovest.

Rregullat e reja të cilat, me kornizën e re ligjore, janë futur vetëm për centralet fotovoltaike dhe shumicën e centraleve të erës, janë të dizajnuara për të minimizuar shpenzimet e konsumatorëve. Ata duhet të konkurrojnë në ankand për të ofruar prodhim të energjisë elektrike me koston më të ulët, ndërsa ofertuesit e suksesshëm do të kualifikohen për të marrë mbështetje në formë të primeve që paguhen mbi çmimin e tregut për energji elektrike për të siguruar që të mbulojnë kostot e tyre të prodhimit.

Sistemi me prime, i cili zbatohet edhe në BE, sjell rreziqe më të mëdha për investitorët. Përjashtimi i hidrocentraleve nga ky sistem u jep atyre avantazh të padrejtë në këtë sektor.

“Për një vend që e ka diellin në flamurin e saj, Maqedonia e Veriut e shfrytëzon këtë potencial të saj në mënyrë të çuditshme. Hidro energjia e privilegjuar mund të ketë qenë e logjikshme disa vite më parë, kur energjia diellore dhe e erës kanë qenë shumë të shtrenjta, por ato ditë kanë kaluar që moti”, shtoi Filipa Gallop nga CEE Bankwatch Network. “Në vend që të stimulojë rritjen e burimeve të reja, kjo skemë i mbështet hidrocentralet e vogla me dëme të mëdha. Kjo praktikë duhet të ndryshohet menjëherë për të barazuar mundësitë “.

“Vetë ligji për kontroll të ndihmës shtetërore nuk përputhet me dispozitat e Marrëveshjes për funksionim të Bashkimit Evropian që kanë të bëjnë me mbrojtjen e konkurrencës. Raporti i fundit i BE-së në Kapitullin 8 për mbrojtjen e konkurrencës thekson se vendi duhet të përmirësojë transparencën e ndihmës shtetërore që ofrohet nga qeveria, por edhe të sigurojë pavarësi të institucioneve kompetente për ta zbatuar. Si një vend që ka synime aktive për t’iu bashkuar BE-së besojmë se një shkelje e tillë e rregulloreve të BE-së dhe mospërfillja e vërejtjeve në raport ne dërgojmë mesazh se, për fat të keq, nuk e marrin seriozisht detyrën e plotësimit të detyrimeve për të hyrë në BE”, thuhet më tej në komunikatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button