Kosnett: Qeveria të veprojë shpejt për kontratën e homologimit të veturave

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Philip Kosnett i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, të veprojë shpejt ndaj rezolutës së Kuvendit për çështjen e homologimit të veturave, njofton REL.

“Qeveria duhet të veprojë shpejt, pas rezolutës së Kuvendit dhe të hapë një proces të lirë dhe të konkurencës së drejtë”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Ambasadori amerikan tha se ai ndanë shqetësimin sikurse Bashkimi Evropian, Kuvendi i Kosovës dhe Autoriteti i Konkurrencës për kontratën monopoliste për homologimin e veturave “që shtrembëron tregun dhe ngre çmimet për qytetarët”.

Kuvendi i Kosovës, me 62 vota për dhe 2 abstenime, të hënën miratoi rezolutën për heqjen e monopolit lidhur me shërbimet e homologimit të veturave.

Më 2017, edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar shkeljet ligjore në fushën e homologimit dhe i kishte rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës të rishikojëdhe të bëjë ndryshime në dispozitat ligjore që e rregullojnë këtë fushë.

Në vitin 2008, atëkohë Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, kishte nënshkruar kontratë ekskluzive me kompaninë “EuroLab” për homologimin e automjeteve që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, duke e autorizuar kompaninë në fjalë si të vetmen për këtë veprimtari, për periudhën 2009-2019.

Homologimi është një procedurë, me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve të veçanta të automjetit si tërësi, bazuar në kriteret, të cilat parashtrohen nga organet kompetente.

Përmes homologimit të automjeteve, testohen pajisjet që kanë rëndësi për funksionimin e sigurt dhe ekologjik të automjetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button