Irani “shkel” kufirin e rezervave me uranium të pasuruar

Rezervat e Iranit me uranium të pasuruar kanë kaluar kufirin e vendosur nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive botërore, raportojnë mediat lokale.

Duke cituar një burin të paidentifikuar, agjencia e lajmeve Fars tha se Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) ka konfirmuar se limiti prej 300 kilogramësh është shkelur, njofton REL.

Edhe Reuters citoi një burim duke thënë se “rezervat kanë kaluar 300 kilogramë”.

Agjencia me qendër në Vjenë, e cila monitoron zbatimin e marrëveshjes bërthamore nga ana e Iranit, nuk i ka komentuar ende raportet.

Marrëveshja kufizon pasurimin e uraniumit dhe rezervat e Iranit me këtë substancë, ndërsa redukton edhe kapacitetet bërthamore të këtij vendi, në këmbim të lehtësmit të sanksioneve ndërkombëtare kundër tij.

Por, Shtetet e Bashkuara e kanë braktisur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen, në maj të vitit 2018, dhe i kanë rikthyer sanksionet kundër Iranit.

Zyrtarët iranianë janë ankuar se palët e mbetura në marrëveshje – Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia – nuk kanë arritur t’i zbusin efektet e sanksioneve të SHBA-së mbi ekonominë e Iranit dhe kanë paralajmëruar se Teherani do të tejkalojë nivelin e rezervave me uranium të pasuruar.

Uraniumi i pasuruar përdoret për krijimin potencial të armës bërthamore.

Vendet evropiane kanë paralajmëruar se çdo shkelje e marrëveshjes do të sillte pasoja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button