Kushtetuesja e shpall të jashtëligjshëm ekipin negociator për bisedime me Serbinë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me të cilën kontestohet “jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë”, transmeton Anadolu Agency.

Siç thuhet në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Kushtetueses, “Gjykata ka vlerësuar se kërkesa e parashtruesve është e pranueshme në bazë të kritereve të përcaktuara me Kushtetutë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese”.

Gjykata ka vlerësuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës rreth përcaktimit dhe ndryshimit të hierarkisë institucionale kushtetuese dhe vendimmarrëse në dialogun me Serbinë dhe kompetencat ligjore të delegacionit shtetëror “ndërhyjnë drejtpërdrejt në kompetencat kushtetuese të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ”.

Si rrjedhojë, “Gjykata konstatoi se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë, dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror, nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve dhe nuk mund të ndërhyjë në formën e qeverisjes, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”, thuhet në vendim.

Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë.

Sipas saj, “bartja e kompetencave tek ‘mekanizimi i posaçëm’, paraqet ndërhyrje në formën e qeverisjes, ndarjen e pushtetit, si dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, siç janë të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i mvesh Delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me normat kushtetuese”.

Gjykata po ashtu konstatoi se kompetenca për të dialoguar me një shtet të tretë nuk mund t’i bartet një delegacioni shtetëror si “mekanizëm i posaçëm” përmes një akti më të ulët juridik siç është Ligji i Kontestuar.

Ky vendim e obligon Kuvendin e Kosovës ta mbikëqyrë politikën e jashtme në kuadër të kompetencave kushtetuese.

Në fund Gjykata konkludon se “përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës”. Kjo kompetencë, sipas saj, është e përcaktuar me Kushtetutë dhe nënkupton që çdo negocim apo veprim tjetër që ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të shtetit duhet të jetë brenda detyrimeve kushtetuese që kanë institucionet e Republikës së Kosovës.

Pas këtij vendimi, bashkë-kryenegociatori i këtij delegacioni nga Partia Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, tha se “që nesër do t’i dorëzojmë dorëheqjet nga Delegacioni në Kuvend”. Ndërsa tani, siç tha ai, ky proces i kthehet në duar Presidentit dhe Kryeministrit.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti. Ky ekip, ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por i cili ishte kontestuar nga LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ishin drejtuar Kushtetueses me kërkesën për interpretim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button