“Bashkë për në greminë” – modeli i Friedrich Glasl i përshkallëzimit të konfliktit

Bota.al ju sjell sot të shpjeguar, modelin e përshkallëzimit të konfliktit që ndihmon jo pak në analizën e konflikteve.

Ky model ka nëntë faza, ndryshe nga modeli i mëhershëm i Kurt R. Spillman, i cili përshkruante pesë faza tipike të përshkallëzimit.

Këto faza janë të grupuara në tre nivele, secili prej të cilëve përmban nga tre faza.

Nivelet

Glasl e paraqet “përshkallëzimin e konfliktit në nëntë fazat e veta, jo si një ngjitje në faza gjithnjë e më të larta të përshkallëzimit, por si një zbritje thellë e më thellë, në forma më primitive dhe më jonjerëzore të mosmarrëveshjes… që pashmangshmërisht shpie drejt momenteve që nxjerrin në sipërfaqe ‘energji të mëdha jonjerëzore’, të cilat në finale nuk janë më të bindura ndaj kontrollit apo vetëpërmbajtjes njerëzore”.Në nivelin e parë, të dyja palët ende mund të fitojnë (win-win). Në nivelin e dytë, një prej palëve humbet dhe tjetra fiton (win-lose) dhe në nivelin e tretë, të dyja palët humbasin (lose-lose).

Nëntë fazat e përshkallëzimit të konfliktit

Shumë lloje konfliktesh mund të analizohen në këtë mënyrë: divorce, konflikte mes kolegësh dhe fëmijësh në shkollë, konflikte politike, por edhe konflikte midis shteteve.

Më poshtë, bota.al ju sjell të shpjeguar në hollëzi të gjithë nivelet bashkë me fazat respektive.

NIVELI I PARË (win-win)

Faza 1: Tensioni

Konflikti nis me tensione, përshembull me përplasjen e radhës të opinioneve. Kjo gjë ndodh shpesh dhe nuk perceptohet si nisje e një konflikti. Megjithatë, nëse rezulton në një konflikt, pozicionet bëhen më fondamentale. Konflikti mund të ketë shkaqe më të thella.

Faza 2: Debati

Nga ky moment, palët në konflikt shqyrtojnë strategjitë për të bindur palën përballë mbi argumentat e tyre. Dallimet në opinione çojnë drejt mosmarrëveshjeve. Palët përpiqen të vënë njëra-tjetrën nën presion, dhe mendojnë bardhë e zi.

Faza 3: Veprime në vend të fjalëve

Palët në konflikt rrisin presionin mbi njëra-tjetrën, me qëllim që të nxjerrin fort në pah opinionin e tyre. Shpërthejnë debatet. Tashmë nuk ka më komunikim verbal, dhe konflikti acarohet gjithnjë e më shumë. Simpatia “për ata” zhduket.

NIVELI I DYTË (win-lose)

Faza 4: Koalicionet

Konflikti acarohet për shkak të kërkimit të atyre që mbështesin kauzën e secilës palë. Duke besuar se ka të drejtën në anën e vet, secila palë mund të denoncojë kundërshtarët. Çështja në diskutim nuk është më e rëndësishme. Duhet të fitosh konfliktin, që të humbasë kundërshtari.

Faza 5: Humbja e fytyrës

Kundërshtari duhet që të denigrohet me aludime dhe të tjera si këto. Këtu besimi ka humbur krejtësisht. Humbja e fytyrës nënkupton humbjen e kredibilitetit moral.

Faza 6: Strategjitë e kërcënimit

Palët në konflikt përpiqen të marrin kontrollin absolut duke lëshuar kërcënime, që demonstrojnë fuqinë e tyre. Njëra kërcënon për shembull me një kërkesë për 10 milion Euro, e cila përforcohet me një sanksion (“përndryshe do të të hedh në erë ndërtesën tënde kryesore”) dhe theksohet fort përmes potencialit për ta vënë në zbatim (tregon eksplozivin). Përmasat vendosin edhe besueshmërinë e kërcënimit.

NIVELI I TRETË (Lose-Lose)

Faza 7: Shkatërrim i kufizuar

Njëra palë përpiqet të dëmtojë kundërshtarin me të gjithë marifetet në dispozicion. Kundërshtari nuk shihet më si njerëzor. Nga ky moment, humbja e kufizuar personale shihet si një fitore, nëse dëmi për kundërshtarin është më i madh.

Faza 8: Shkatërrim total

Kundërshtari duhet të shkatërrohet me çdo mjet.

Faza 9: Bashkë në greminë

Nga ky moment, edhe asgjësimi personal pranohet me qëllim mposhtjen e kundërshtarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button