Instituti i Defektologjisë është përjashtuar nga Ligji i ri për arsim fillor, ministri Ademi do të konsultohet me profesorët

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) gjatë javës do të takohet me profesorë nga Instituti për edukim special dhe rehabilitim (defektologji) pranë Fakultetit filozofik në Shkup, pasi ata reaguan me një letër të hapur që nuk janë përfshirë në hartimin e Ligjit të ri për arsim fillor, transmeton SDK.mk.

“Në përgatitjen e Ligjit të ri për arsim fillor profesorët e Institutit nuk janë përfshirë në asnjë fazë. Nuk e dimë pse. Fakulteti filozofisë dhe Instituti nuk janë të ftuar në debatet mbi Ligjin, të cilat tashmë janë organizuar nga MASH-i. Edhe për këtë nuk e dimë pse. Përgjigjja mbase qëndron në MASH dhe tradicionalisht në UNICEF. Instituti jonë ka program studimor të ri dhe modern në të cilin janë përfshirë inkluzioni, praktika e inkluzionit, mësimdhënia, vlerësimi, trajtimi, intervenimi i hershëm dhe ngjashëm. Dhe më e rëndësishmja, programet studimore vite me radhë kanë marrë vlerësimet më të lartat dhe janë të njohura në Evropë dhe më gjerë”, thuhet ndër tjerash në letrën e nënshkruar nga prof. Goran Ajdinski dhe profesorë të tjerë.

Nga kabineti i ministrit Arbër Ademi, thonë që ligji është vënë në debat publik, që do të thotë se ata duan të dëgjojnë mendimin e të gjithëve.

“Versioni i dytë i Projektligjit për arsimin fillor është zhvilluar përmes një qasjeje inkluzive në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë aktorët e interesuar dhe duke i respektuar rekomandimet e OECD-së dhe UNICEF-it, të identifikuara në raportin e analizës për cilësinë e sistemit arsimor kombëtar. Procesi s’ka përfunduar, pasi që pas themelimit të bazës, Ligji është vënë në debat publik, ashtu që çdo person i interesuar të ketë mundësi për të dhënë mendimin dhe sugjerimin e tij. Gjatë kësaj jave do t’i drejtohemi Institutit dhe do të takojmë profesorët, mendimi dhe kontributi i të cilëve në krijimin e zgjidhjes përfundimtare është veçanërisht i rëndësishëm. Po konsultohemi dhe gjithsesi çdo vërejtje e qëndrueshme dhe e bazuar do të përfshihet në versionin përfundimtar të Ligjit”, thonë nga ministria.

Profesorët nga Instituti në letër kanë shënuar më tepër vërejtje për Projekt-ligjin, si për shembull është përjashtuar defektologu nga realizimi i mësimit sikurse deri tani, por nga Ministria thonë se edukatorët special nuk përjashtohen. Përkundrazi, thonë ata, me ligjin e ri defektologët fitojnë rol të zgjeruar, ashtu sikurse shkollat ​​speciale në të cilat ata punojnë.

“Përkatësisht, shkollat ​​speciale e zgjerojnë aktivitetin, për t’u afruar me shkollat ​​e rregullta dhe të bëhen shkolla me qendra të resurseve që do të ofrojnë shërbime specifike arsimore në komunitet. Resurset që i posedojnë shkollat speciale, së bashku me ekspertizën dhe përvojën e profesionistëve (edukatorëve specialë) do të jetë në dispozicion për të ofruar mbështetjen e nevojshme për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit të cilët punojnë me nxënësit me pengesa në shkollat ​​e rregullta.

Në zhvillimin e inkluzionit, shkollat ​​speciale marrin një rol të zgjeruar si shkolla fillore me qendra të resurseve, profesionistë mobilë (edukatorët specialë dhe rehabilituesit) për mbështetje në shkollat ​​e rregullta dhe në familjet me fëmijë me pengesa”, thonë nga kabineti i ministrit Ademi.

Profesorët gjithashtu reagojnë se nxënësit me pengesa të moderuara dhe të rënda intelektuale, nxënësit me probleme në sjellje, nxënësit me autizëm të ulët funksional dhe nxënësit me multi-handikap nuk do të kenë program të modifikuar.

Ministria përsërit se ky është projektligj që ende po përpunohet.

“Pajtohemi që për nxënësit me nevoja komplekse, duhet të përgatitet program i modifikuar, i cili do të ketë përmbajtje të ndryshme nga programi i rregullt. Gjegjësisht, në atë program do të vendosen qëllime dhe kompetenca të ndryshme si për shembull: zhvillimi dhe promovimi i autonomisë, zhvillimi personal, relacionet dhe marrëdhëniet shoqërore”, thonë nga ministria e arsimit.

B. Nestoroska

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button