Basha: Zgjedhjet nuk i njohim

Për afro 90 minuta zgjati takimi i Lulzim Bashës në zyrën e tij me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lejla Moses-Ones, transmeton Klan.

Kreu demokrat nuk preferoi të japë detaje nga biseda, por ripërsëriti qëndrimin se në 30 Qershor nuk do të ketë zgjedhje.

“As kam komentuar, as kam ndërmend të komentoj takimet me përfaqësuesit e përfaqësive të huaja në Tiranë, apo me partnerët e mi të huaj, kudo ku janë, me të cilët jam në kontakt të vazhdueshëm. Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë, nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen”.

Por a ka një urdhër të dalë nga zyra e Lulzim Bashës drejtuar krerëve të degëve të PD-së që të përdoret dhunë në 30 Qershor si pjesë e skenarit për të pamundësuar zgjedhjet?

“Është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës që paguhen me paratë që u vidhen qytetarëve shqiptarë. Është një mashtrim total dhe një shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij mafioze. Edi Rama do të përpiqet t’i rikthejë shqiptarët në kohën e zgjedhjeve njëpartiake, me bashkëpunimin dhe mbështetjen e krimit të organizuar. Kjo nuk ka për të ndodhur, shqiptarët janë më të vetëdijësuar dhe më të vendosur se kurrë, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur pluralizmin, dhe do ta bëjmë këtë masivisht, sot, nesër, pasnesër më 30 Qershor, më 1 Korrik sado që të zgjasë kjo betejë, e cila ka një përfundim të sigurt, fundin e regjimit autokratiko-kriminal të Edi Ramës”.

Pas takimit me të dërguarën e SHBA, kreu i opozitës u takua për afro 60 minuta edhe me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, ku temë e bisedës ka qenë situata politike dhe zgjedhjet e 30 Qershorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button