Policia Financiare, me autoblinda dhe njësi speciale kundër prodhuesve të duhanit në Luboten

Forcat e njësiteve speciale, me autoblinda dhe automjete për operacione të veçanta, sot në fshatin Luboten, me urdhër të Policisë Financiare kanë bastisur shtëpitë, nën dyshimin se po kontrabandohet me duhan. Banorët dhe partitë shqiptare janë revoltuar për qasjen e policisë ndaj fshatit me shumicë shqiptare, njofton Portalb.mk.

“Për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale, kontrabandë me mallra me akcizë dhe mashtrim doganor, Drejtoria e Policisë Financiare në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, zbaton aksion për kontroll të të njëjtës. Presim dhe kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qytetarët në rajonet ku po zbatohen aktivitetet, që janë në interes të pastrimit të rastit. Opinioni do të informohet në kohë për masat dhe aktivitetet e ndërmarra”, thuhet në kumtesë”, thuhet në kumtesën e Policisë Financiare.

SIpas informatave nga terreni, Policia ka konfiskuar duhan të cilin e kanë prodhuar vetë banorët dhe ka konfiskuar makineri për përpunimin e tij.

Banorët e fshatit kanë dalë rrugë dhe janë të revoltuar.

“Le të më punësojnë, unë nuk do ta punoj këtë punë, hyjnë ashtu siç duan, askush nuk reagon. Vijnë, kërkojnë vota në zgjedhje dhe ikin”, thotë një banor.

“Askush nuk është lajmëruar, si munden të vijnë ashtu, të hyjnë në shtëpi? Të frikësojnë fëmijë? Kjo është turp për shtetin”, thotë një banor tjetër.

Kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilveski ka arritur në vendngjarje. Ai tha se shpreson se për një kohë të shkurt do të merr fund kjo golgotë e qytetarëve. Kreu i Komunës së Butelit tha se është i sigurt se duhani nuk është ilegal, dhe se për këtë janë informuar të gjithë institucionet. Smilevski tha se numri i madh i forcave policore është për çështje sigurie.

Partitë shqiptare kërkojnë llogari për nevojën që të Luboten të dërgohet numër i madh i policisë

Aleanca për Shqiptarët, ka kërkuar që Qeveria me masa për shkak se banorëve po u mohohet e drejta për kafshatën e gojës.

“Është i papranueshëm reagimi forcave policore ushtarake në fshatin Luboten, duke ua mohuar të drejtën për kafshatën e gojës. Nuk të ofron punë, nuk investon, nuk të krijon lidhje infrastrukturore, nuk të ofron perspektivë, dhe ta ndalon përpjekjen për të rritur me nderë fëmijët. Kjo i ngjason masave të pas luftës së dytë botërore të cilat kishin për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve nga trevat e tyre duke ua bërë të pamundur jetën”, thonë nga partia.

Nga Lëvizja BESA theksojnë se për fat të keq sot banorëve të Lubotenit ju rikthyen pamjet e ngjashme nga masakra e kryer në vitin 2001, ku me arsenal të njëjtë ushtarak policia hyri në këtë fshat.

“Kjo pamje e shëmtuar nga ana e Qeverisë dhe policisë së shtetit, kundër shqiptarëve e dëshmon se ky shtet nuk mund të zhvishet nga të qenurit shtet policorë. Lëvizja BESA dënon ashpër aksione të tilla të policisë, kundrejt banorëve të fshatit Luboten, të cilat janë duke punuar për bukën e gojës, dhe ashtu si i garantoj edhe Kryeministri i shtetit se nuk do të prekën individët që merren me kultivimin e duhanit, u dëshmua se nuk ka mundur të mban as kësaj radhë fjalën e dhënë. Lëvizja BESA dënon ndërhyrjen e forcave policore që më shumë i ngjasonte një sulmi ushtarak sesa aksion rutinor si dhe apelojmë deri te qeveria që të lërë qytetarët e lirë të punojnë dhe në vend se të merren me këto raste, Qeveria të punoj më shumë në zbardhjen e rasteve të montuara politike si dhe pavarësimin e gjyqësorit në vend. Nëse ky aksion policor ka të bëjë me heshtjen e dështimit nga “fshesa” e paralajmëruar atëherë kjo qeveri për fat të keq ka hyrë ne filmin e regjimit të kaluar, ku skandalet e veta i mbulonin përmes aksioneve spektakolare policore që në fund pas terrorizimit dhe dhunës ndaj familjeve të pafajshme, përfundonin me kërkim falje se aksionet policore janë bërë gabimisht”, thonë nga Lëvizja BESA.

Nga BDI kërkojnë sqarim nga Policia Financiare në lidhje me forcat policore.

“Policia Financiare duhet të sqaron dhe arsyeton në bazë të cilave vlerësime kishte nevojë për këtë përdorim kaq të shtuar dhe serioz të policisë në Luboten. Spektaklet dhe demonstrimi i forcës shpesh janë të panevojshme dhe të kundërefektshme edhe në rast se ka patur ndonjë dyshim për keqpërdorim, i cili duhet të sanksionohet, proporcionalisht, nëse vërtetohet, shkruan në Fejsbuk deputeti i BDI-së Artan Grubi.

Aksion policor në Luboten
Aksion policor në Luboten
Aksion policor në Luboten
Aksion policor në Luboten

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button