fbpx

Pse të ndërtohet autostradë, e jo ekspres rrugë ndërmjet Prilepit dhe Manastirit?

Ministri për transport dhe lidhje Goran Sugareski dhe drejtori i NP për rrugë shtetërore Zoran Kitanov, javën e kaluar njoftuan që shteti sivjet do të fillojë projektimin e autostradës së ardhshme Prilep – Manastir. Në Programin vjetor të punës së NP për rrugë shtetërore për vitin 2019 është inkorporuar obligimi për përgatitje të dokumentacionit të projektit për autostradën Prilep – Manastir, por tenderi për të gjetur hartuesin e projektit që do ta realizojë këtë detyrë ende nuk është publikuar, transmeton META.mk.

Pas këtyre paralajmërimeve të udhëheqësisë së shtetit, parashtrohet pyetja përse nevojitet të ndërtohet autostradë ndërmjet Prilepit dhe Manastirit, e jo ekspres rrugë, siç paralajmërohej deri tani nga autoritetet. Sipas të dhënave të NP “Makedonija pat”,  mesatarja ditore e komunikacionit vjetor (MDKV) në rrugën ekzistuese Prilep–Manastir në vitin 2017 ka qenë 4.884 automjete. Sa për krahasim, frekuenca e automjeteve në rrugën Rosoman–Drenovë–Prilep është 4.677 automjete në nivel ditor, kurse pikërisht në këtë relacion për momentin po investohet në projektin Gradsko–Prilep, megjithatë jo në autostradë por në ekspres rrugë.

Kostoja për ndërtim të një kilometri autostradë është shumë më e lartë nga ajo për kilometër ekspres rrugë, prandaj edhe duhet të arsyetohet rritja e konstruktit financiar të projektit.

Profesorja Verica Dançevska nga Fakulteti teknik në Manastir thekson që Ministrisë për transport dhe lidhje i mungojnë dokumente strategjike që bazohen në parimet dhe qëllimet e politikës së komunikacionit.

“Mesatarja ditore e komunikacionit vjetor – MDKV është indikator i rëndësishëm i cili gjithsesi duhet të merret parasysh kur merren vendime se ku do të investohet në rrjetin rrugor, megjithëse më duhet ta pranoj që më së shpeshti vendimet janë politike në pajtim me politikën e “fuqisë”, e jo sipas parimeve dhe qëllimeve të politikës së komunikacionit”, thekson Dançevska.

Rruga Prilep–Manastir gjendet në krahun e ndarjes D të Korridorit 10 panevropian, i cili përfundon në portin grek Igumenicë. Rregullimi i infrastrukturës rrugore të këtij segmenti ka filluar me ndërtimin e ekspres rrugës Gradsko-Prilep, ku dy nga tre fazat e planifikuara tash më janë duke u ndërtuar. Qeveria aktuale këtë vit ka filluar me projektim edhe të ekspres rrugës nga Manastiri deri në kufirin Maqedoni-Greqi në Mexhitli. Aksi i fundit për të cilin nuk është përgatitur projekti për ndërtim është pjesa ndërmjet Prilepit dhe Manastirit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button