Prej vitit 2020, komunat do të marrin kompetenca të reja nga pushteti qendror

Kryeministri Zoran Zaev ka realizuar takim me Bordin Udhëheqës të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), në të cilin janë këmbyer mendime dhe qëndrime me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm kualitativ dhe zbatimit të procesit të decentralizimit dhe me atë të ketë shërbime më kualitative për qytetarët në nivel lokal, njofton Portalb.mk.

Në takim, ashtu siç informojnë nga shërbimi qeveritar i informimit, është konstatuar konkluzion, për kornizë të caktuar kohore për përgatitjen e shtetit për fazën tejtër për decentralizim institucional-financiar.

“Është arritur pajtueshmëri që prej më 1 janar 2020 të fillojë faza e transferimit të kompetencave të reja nga niveli qendror në nivel lokal në fushat ku do të vlerësohet se ajo është e mundshme dhe e nevojshme. Pastaj, me buxhetin e ri për vitin 2020, do të merren parasysh edhe nevojat financiare të komunave për të cilat duhet dhe do të ketë mundësi që të ndihmojë shteti”, thuhet në kumtesë.

Në atë drejtim, janë marrë vesh që të formohen grupe pune me anëtarë nga pushteti lokal dhe qendror dhe gjatë verës të fillohet me konstatimin e fushave prej të cilave do të decentralizohen kompetencat. Kryeministri Zoran Zaev, tha se Qeveria është e përgatitur që sa më shpejtë t’ia transferojë kompetencat e reja, pushtetit lokal.

“Me transferimin e 51 milionë eurove për mbulimin e borxheve të komunës kemi treguar se si Qeveri jemi të fokusuar që të sigurojmë njësi lokale funksionale. Mjetet që janë paraparë nga niveli qendror për rrugë dhe për ujësjellës, plotësisht do t’ua lehtësojnë punën komunave në zhvillimin ekonomik. Është e nevojshme që të ketë kreativitet në sigurimin e mjeteve nëpërmjet projekteve dhe racionalizmit ku është e mundshme. Ndërkaq, integrimet e vendit tonë dhe hapja e bisedimeve me BE-në nënkuptojnë edhe qasje deri te fondet evropiane dhe më shumë para për infrastrukturën, për mjedisin jetësor, për projektet e fushës sociale, arsimit, kulturës. Qeveria e shtron dorën për decentralizim të vërtetë dhe funksional, është e nevojshme që çështjet të zgjidhen në mënyrë më të përkushtuar dhe më funksionale”, tha mes tjerash Zaev.

Kryetari i BNJV-së dhe kryetar i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i kumtoi sfidat kyçe me të cilat përballen komunat dhe zgjidhjet e mundshme që i propozon BNJVL. Ai ka theksuar se për BNJVL-në është e pranueshme që komunat të hyjnë në mënyrë operative në procesin e decentralizimit, të fitojnë më shumë mjete financiare, por edhe të ndërmarrin më shumë kompetenca.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button