Arkivat e Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë nënshkruan protokoll për bashkëpunim

Arkivi Shtetëror i Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar protokoll bashkëpunimi me Drejtorinë e Arkivave Shtetërore në Presidencën e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Protokolli i bashkëpunimit ka për qëllim zgjerimin e bashkëpunimit ekzistues midis dy institucioneve dhe do të jetë i vlefshëm në periudhën e ardhshme 1-vjeçare.

Protokolli u nënshkrua nga kreu i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut, Kiril Petrov dhe kreu i Drejtorisë së Arkivave Shtetërore në Presidencën e Turqisë, Uğur Ünal, të cilët pas nënshkrimit folën për mediat. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte e pranishme edhe ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara.

Ünal theksoi se me protokollet e nënshkruara deri më sot, veçanërisht në 2-3 vitet e fundit, janë bërë hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin midis dy institucioneve.

“Kjo gjeografi përmban dhjetëra mijëra dokumente nga historia e dy popujve. Këto dokumente janë shumë të rëndësishme në zbulimin e historisë sonë, të kaluarës sonë dhe marrëdhënieve tona. Duam që historianët, shkencëtarët dhe akademikët nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut të jenë në gjendje të eksplorojnë dokumente rreth historisë së vendit të tyre pa pasur nevojë të shkojnë në një vend tjetër. Ai projekt ishte i suksesshëm. Në tre vitet e fundit kemi 133 mijë dokumente të digjitalizuara”, deklaroi Ünal.

Ai po ashtu theksoi se nga bashkëpunimi i deritanishëm midis dy institucioneve, dokumente nga periudha osmane, të vjetra 400-500 vite nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut janë transferuar në mjedis digjital, janë të mbrojtura dhe do t’u transmetohen brezave të ardhshëm.

Ndërkaq, Petrov, nga ana e tij tha se protokolli i sotëm do të thotë një stimulim më të madh për miqësi dhe bashkëpunim më të madh midis dy institucioneve.

“Besojmë se me ndihmën e z. Uğur Ünal do të krijohet një situatë reale ku hulumtuesit tanë do të mund të përdorin dokumente që gjenden në arkivat turke, të cilat do të pasurojnë historinë tonë të vërtetë të popullit maqedonas dhe të popujve që jetojnë në këto treva”, tha Petrov, duke shtuar se në Turqi ka shumë dokumente për historinë e Maqedonisë së Veriut.

Duke theksuar se në Maqedoninë e Veriut nuk ka staf të mjaftueshëm për të përkthyer dokumentet e vjetra osmane, Petrov bëri të ditur se së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës po përgatisin një projekt për trajnimin e dhjetë studentëve për të mësuar gjuhën e vjetër osmane, projekt i cili, siç tha ai, do t’i propozohet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Protokolli i parë i bashkëpunimit midis arkivave të dy shteteve u nënshkrua në vitin 1990.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button