Osmani do ta padisë Aleancën për Shqiptarët nëse nuk kërkon falje brenda 24 orëve

Zëdhënësi i BDI-së dhe njëkohësisht, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, e demanton reagimin e Aleancës për Shqiptarët, në pjesën ku përmendet emri i tij në lidhje me përgjimet e publikuara nga “El Cheka”, njofton Portalb.mk.

“I demantoj spekulimet e dhëna nga ana e Aleancës për Shqiptarët dhe zëdhënësi i tyre, ku përmendet emri im si pjesë publikimit të një bisede të incizuar jo-ligjërisht. Fillimisht  dua ta informoj publikun se bëhet fjalë tërësisht për spekulim, shpifje dhe lajm të rrejshëm. Unë as nuk kam qenë i përfshirë, as që kam marrë pjesë në aktivitetet në të cilat i potencon Aleanca për Shqiptarët dhe zëdhënësi i tyre, e as që jam unë ai i cili përmendet në incizimin joligjor. Ky është një lajm plotësisht i rrejshëm dhe ka për qëllim ta rrënojë kredibilitetin tim politik si udhëheqës i integrimeve evropiane në vend, që, duke pas parasysh ndjeshmërinë e kësaj periudhe, është një dëm që i shkaktohet edhe vet vendit”, thotë Osmani.

Ai u ka bërë thirrje të lartpërmendurve që brenda 24 orëve te ardhshme, në tërësi ta tërheqin potencimin e emrit të tij dhe të kërkojnë falje për dëmin e shkaktuar, në të kundërtën, do të ndërmarrë masa juridike të cilat janë në dispozicion dhe të gjitha pohimet e tij do t’i parashtrojë para organeve gjyqësore.

Ndryshe, në kumtesën e sotme të Aleancës për Shqiptarët, në lidhje me përgjimet e publikuara në rrjetet sociale, në një pjesë të reagimit, nga kjo parti theksojnë se në një bisedë mes liderit të partisë, Ali Ahmeti dhe Sadulla  Duraki ku nga  Bujar Osmani, kërkohet fshehje e veprës penale për vrasje dhe mbrojtje të dorasit të kësaj vepre.

“Nga këto përgjime kuptohet qartë se zyrtarët e lartë të kësaj Partie,  kanë keqpërdorur pozitat e tyre partiake dhe shtetërore duke ndikuar edhe në përzgjedhjen e gjykatësve, kryetarëve të gjykatave, prokurorëve noterëve etj.  Nga përgjimet më të reja dëgjohet edhe biseda skandaloze, mes liderit të partisë, Ali Ahmetit dhe Sadulla  Durakut, ku nga  Bujar Osmani, tani Zëvendës Kryeministër për Evropiane kërkohet fshehje e veprës penale për vrasje dhe mbrojtje të dorasit të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në kumtesën e partisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button