40 plumba dhe ndjekje si në filma, si ndodhi atentati në Durrës

Ndjekje si në filma dhe më shumë se 10 minuta të shtëna nga rruga dytësore në Maminas, deri në afërsi të Durrësit. Ky ishte atentati që iu bë krahut të djathtë të Lul Berishës, Plarent Dervishajt dhe shokut të tij Julian Meçaj. Gazeta Mapo mëson se ndaj Range-Roverit gjysëm të blinduar, është qëlluar më shumë se 40 herë. Autorët kanë qënë dy dhe dyshohet se kishin patur dijeni për lëvizjen e Plarent Dervishajt. Njeriu më i besuar i Lul Berishës shpëtoi për faktin se xhamat anësor dhe xhami i parë ishin të blinduar, ndërkohë që xhami i pasëm i makinës ishte i thjeshtë.

Fillimisht autorët i kanë dalë përpara automjetit dhe kanë qëlluar me breshëri. Kur kanë parë që makina ishte e blinduar kanë dalë në pjesën e pasme dhe kanë vijuar të qëllojnë. Xhami i pasëm është thyer dhe nga plumbat është plagosur Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj. Pavarsisht se të plagosur, Range Roveri nuk ka ndaluar dhe ka vijuar rrugën drejt Durrësit. Burime policore në Durrës, thanë për Gazetën Mapo se kemi të bëjmë me një atentat mafioz.

Plarent Dervishaj ishte në vendin e pasagjerit, ndërsa Julian Meçaj shofer i Range-Rover. Të dy autorët ishin të maskuar dhe me një makinë që dyshohet e vjedhur. Policia e Durrësit thotë se kemi të bëjmë me një përplasje të bandave në këtë qytet. Ka dyshime se ka patur edhe një makinë tjetër që ka parë lëvizjet e Plarent Dervishajt, ndërsa automjeti i atentatorëve qëndronte pranë Maminasit.

Gjatë gjithë rrugës ka patur të shtëna me armë, duke vënë në rrezik edhe qytetarë të tjerë. Ka dyshime se nga Range-Rover ka patur gjithashtu të shtëna me armë, por ende nuk dihet se nga kush. Dëshmitarë i thanë policisë se skena i ngjante një filmi dhe vet ata nuk e kanë besuar kur dëgjonin të shtëna pa pushim. Makina e atentatorëve sipas informacioneve paraprake u largua drejt Fushë-Krujës.

Plarent Dervishaj ka qënë i akuzuar për disa ngjarje të rënda në Durrës, por jo vetëm. Ndërkohë, vetë Lul Berisha kreu disa vite burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal, ndërsa u lirua përpara zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës. Plarent Dervishaj ka qenë gjithashtu në burg, i akuzuar për vrasje e grup të strukturuar kriminal.

Njoftimi i policisë
Durrës/Informacion paraprak

Më datë 20.06.2019, rreth orës 13:20, në lagjen 17/1 Durrës, në rrethana ende të paqarta janë plagosur dyshohet me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, shtetasit J.M.,36 vjeç, dhe P.D.,47 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Durrësit .

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button