Veseli largoi zyrtarët me aktakuza nga institucionet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar sot nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale zyrtarë të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë, raporton Anadolu Agency.

Në një konferencë për media Veseli njoftoi se sot janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku dhe këshilltar i Kryeparlamentarit, Nijazi Kryeziu, të cilët janë në procese gjyqësore.

Kryetari i PDK-së, Veseli, tha se ditë më parë është zotuar se do të angazhohet fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të abuzimit, ndërsa këto veprime po i ndërmerr në kuadër të kësaj nisme.

“Këtë po e presin qytetarët nga ne, sepse ata janë të ngopur me fjalë dhe duan të shohin veprime konkrete. Nuk ka opsion tjetër përveç se të veprojmë. Dhe, ne po vendosim një standard të ri të etikës. Së pari po fillojmë me veten, e pastaj këtë standard do ta shtrijmë në çdo segment”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së Veseli, po ashtu ka konfirmuar se partia që drejton nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuara.

Veseli po ashtu ka liruar nga detyra edhe të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara dhe ky pezullim i funksioneve të tyre siç tha ai, do të vlejë deri në aktgjykime.

“Ky vendim nuk e paragjykon fajësinë e tyre dhe me përfundimin e gjykimeve, kur ato janë lirue, të gjithë këta persona do të kenë vendin e merituar në PDK dhe në institucione”, ka thënë Veseli.

Ai në konferencë tha se nepotizmi dhe korrupsioni janë rritur në Kosovë. Sipas tij, kjo duhet të ndryshojë me luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe nepotizmit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button