Është prezantuar thirrja e projektit “KriThink” për grante për njohuri elementare mediatike

Projekti “Mendim kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike – KriThink”, të cilin e implementon Fondacioni “Metamorfozis” në partneritet me “Eurothink”, sot para përfaqësuesve të organizatave qytetare nga Rajoni planifikues i Shkupit i prezantoi mundësitë për ndarjen e granteve për organizatat për projektet e tyre për zhvillimin e njohurive elementare mediatike.

Thirrja për grante është shpallur më 31 maj, ndërsa organizatat e interesuara do të mund të aplikojnë deri më 15 korrik për gjithsej 10 grante, me vlerë maksimale prej 6.000 deri në 7.000 euro.

“Qytetarët pa njohuri elementare mediatike janë të ndjeshëm ndaj manipulimeve, dhe për këtë arsye ky projekt synon që përmes sektorit civil, mediave dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore dhe lokale,  të zhvillohen aftësi cilësore te qytetarët për t’i njohur manipulimet, dezinformatat në sferën e mediave, si dhe gjuhën e urrejtjes. Kjo është e rëndësishme për qytetarin modern si faktor në shoqëri”, tha Filip Stojanovski nga Fondacioni “Metamorfozis” në ngjarjen që u mbajt në Qendrën e burimeve qytetare.

Ai shpjegoi se qëllimi i projektit është të rritet kërkesa e qytetarëve për llogaridhënie dhe përgjegjësi më të madhe të mediave nëpërmjet edukimit joformal publik, promovimit të standardeve profesionale dhe praktikave ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe të shprehjes.

Në ciklin e mëparshëm të projektit “KriThink”, u ndanë gjashtë grante, ndërsa thirrja e re është për 10 grante.

Duke e shpjeguar idenë për ndarjen e granteve për organizatat që veprojnë në nivel lokal dhe rajonal, Goran Llazarov nga “Eurothink” shpjegoi se hulumtimet kanë konstatuar se përfshirja e organizatave të vogla qytetare që punojnë në suaza lokale në ngritjen e njohurive elementare mediatike është e ulët dhe për këtë arsye ideja është që me paratë e ndara nga BE-ja për projektin “KriThink” të punohet në përmirësimin e kësaj situate.

“Qëllimi është të rritet kërkesa për cilësi dhe përgjegjësi nga ana e qytetarëve deri te mediat, ata të mësojnë si të lexojnë dhe t’i ndjekin përmbajtjet mediatike për t’i njohur dezinformatat, dhe t’i verifikojnë lajmet nga më tepër burime”, shpjegoi Llazarov.

Ai gjithashtu vuri në dukje se është e rëndësishme që organizatat qytetare t’u ndihmojnë qytetarëve dhe t’i trajnojë që t’u drejtohen organeve kompetente për mediat, siç është Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike (ASHAAM), por edhe organeve vetërregulluese të gazetarisë, për të denoncuar dezinformata, manipulime dhe gjuhë të urrejtjes.

Kushtet për aplikim dhe dokumentacioni i nevojshëm mund të shihen këtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button