Tetovë: Trotuaret rreth Tregut të Gjelbër vazhdojnë të jenë të uzurpuara nga shitësit

Edhe pse në muajin shkurt të këtij viti Komuna e Tetovës lajmëroi se ka filluar lirimi i hapësirave publike në qytetin e Tetovës dhe lirimi i trotuareve rreth Tregut të Gjelbërt, në kuadër të aksionit “Qyteti yt, hapësira yte!”, të njëjtat trotuare katër muaj më pas janë sërish të uzurpuara nga shitësit ambulantë. Nga Komuna thonë se inspektoriati do të del në terren për të liruar hapësirat, transmeton Portalb.mk.

Problemi i shitësve ambulantë që uzurpojnë trotuaret dhe hapësirat publike është një problem që diskutohet për vite me rradhë. Komuna e Tetovës ndonëse ka premtuar disa herë se do ju gjejë vend atyre brenda në Tregun e Gjelbërt, trotuaret vazhdojnë të jenë të uzurpuara nga shitësit. Madje, në vitin 2016 u soll vendim nga Këshilli i Komunës për largimin e këtyre shitësve.

“Inspektoriati do del në terren me asistencë policore. Do angazhohen radarët komunal që ta mirëmbajnë gjendjen e mëparshme. Ata që nuk do respektojnë vendimet e inspektoriatit do të ju bëhet konfiskimi i mallit nga ana e Inspektoriatit të Tregut”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Më nëntë shkurt të këtij viti, Komuna e Tetovës lajmëroi se trotuaret do të jenë të hapura sepse qytetarët i meritojnë ato të tilla. U shpërnda një video në Facebook ku shihen trotuaret të liruara.

“Lirimi i hapësirave publike do të vazhdojë dhe të njëjtat do ju kthehen qytetarëve. Do të merren në konsideratë të gjithë shitësit të cilëve do ju garantohet hapësirë brenda tregut të gjelbërt. Tregut të gjelbërt i nevojitet një transformim dhe ky transformim duhet të filloj me lirimin e hapësirave publike, të cilat janë pasqyrë e përbashkët e jona”, thuhet në postimin e Komunës së Tetovës më nëntë shkurt.

Megjithatë, redaksia e Portalb.mk gjatë një vizite në Tregun e Gjelbërt pa se këto hapësira, edhe katër muaj pas lajmërimit të Komunës se janë liruar, vazhdojnë të jenë të uzurpuara njëlloj si më parë.

Më poshtë mund të shihni disa nga fotografitë se si duket Tregu i Gjelbërt, i uzurpuar sërish.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button