Presidenti Pendarovski dhe kryeministri Rama e sqaruan polemikën e tyre

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski kanë deklaruar sot se e kanë zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre në lidhje me deklaratën e Pendarovskit për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për fillim të negociatave me BE-në, transmeton Portalb.mk.

Pendarovski nëpërmjet një postimi në Twitter ka thënë se ka kontaktuar me kryeministrin Rama dhe se kanë biseduar për fillimin e negociatave me BE-në për të dy vendet. Ai ka thënë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është po aq i rëndësishëm sa anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut.

“Dje, kemi pasur komunikim me Kryeministrin e Shqipërisë @ediramaal. Fqinjët tanë janë të rëndësishëm, rruga e integrimit të Shqipërisë në BE është po aq e rëndësishme sa e jona, sepse ato ndërthuren reciprokisht”, ka shkruar Pendarovski.

Nga ana tjetër, edhe kryeministri Rama ka deklaruar se mosmarrëveshja mes tyre është zgjidhur.

“Presim çeljen e negociatave por ndryshe nga ne, Maqedonia është në përpjekje për t’i shpëtuar një kurthi nga brenda që nuk duan negociatat. Presidenti i Maqedonisë kishte bërë një deklaratë ku nënkuptonte se mund të ndahen në trajtimin e tyre”, ka thënë Rama.

Disa ditë më parë Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski kërkoi nga Këshilli Europian që vendi i tij të “ndahet” nga Shqipëria për të nisur procesin e hapjes së negociatave. Pas deklaratës së tij, reagoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Presidenti @SPendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat?Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë & shqiptarëve në zhvillimet demokratike & rrugën evropiane të shtetit mik. S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!”, shkroi Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button