Silueta me syza gri

E, ja: të gëlon dyzimi në mendje:  Si mund të ndjehesh në një audiencë kur pranë teje sillet e pështillet njeriu që ti e njeh e, ai shtiret se s’të njeh fare?! Ti i dhuron një buzëqeshje pa tebdil, kurse ai i dehur nga  lavdet dhe elozhet e pozitës – nuk të përfill aspak, apo i vjen “neveri”  të lexojë dashamirësinë dhe dogrillëkun tënd të ravijëzuar në fytyrën e  çiltër ?! Ti e bën këtë, jo për veresi apo hipokrizi, por  nga fakti se ti je pronari apo poseduesi i një zemre  të madhe e të një shpirti gjithnjë të ndezur për reflektim e rrezatim…

… Me kollaren vizëlluese – shumë  afër teje kalon ish shoku yt i klasës, i studimeve, i ëndrrave e iluzioneve  (më shumë të  fikura), e tani, në këtë moment ai nuk të sheh, e ti ndjehesh i rezignuar dhe zhgënjyer, kur pas syzave të errëta, ti mund të  pikasësh siluetën që synim ka vetëm gjuajtjen e parasë dhe kolltukut…

Në ndonjë agorë të përbashkët, ai nuk të vë re fare, duke synuar rendin e parë të karrigeve të “rezervuara” për kastën  me syza gri. Ti e ke radhën atje  kah  fundi  i rendit të ulëseve, që mund të qëndrosh edhe në këmbë – për të duartrokit më lirshëm kur do të del në podium njeriu me syza të errëta e me kollare vizëlluese. Ai me  hope e, duke belbëzuar , do të mundohet të lexojë letrën apo si i thonë:  referatin –  të shkruar nga argatët e kabinetit të sulltanit, kurse ti, pa marrë parasysh  kaçikun që ke,  duhet të aplaudosh e brohorasësh, sepse këtu vepron rregulli i “kontigjentizmës” (V.K.) e duhet t’i bindesh kujtdo që del në podium apo tribunë me kravatë e syza të errëta; duhet të rrahësh shuplakat…Përndryshe  do të shikojnë vëngër bodigardët me muskuj kasapi e me tru cjapi. Kështu, konformizmi bën punën e vet.

Ai del në podium e i jep kosës: vang e vang, fjiu e fju, edhe pse ti ia njeh  shumë mirë etimologjinë dhe kaçikun; e di të kaluarën dhe të tashmen e tij, dhe që i zgërdhihet të ardhmes që, s’do t’ia di për të aq sa do t’ia ndijë për ty që kalamendesh në fund të radhëve të karrigeve  të ujdisura  në formën gjysmë harkore. Nuk është me rëndësi metoda e tij e veprimit, por me rëndësi është fudullëku dhe kënaqësia që  ndjen ai vetë nga këto marifete. Detyra jote është të heshtësh, sepse ti s’ke kravatë as syza të errëta; nuk ke makinë të errët e me xhama gri. Po, po, ti s’ke kravatë dhe, njeriu me kravatë vezulluese ka aftësinë apo më mirë të themi dinakërinë dhe mundësinë ta blejë edhe të ardhmen . Deri sa ti po kacafytesh  me të kaluarën dhe të tashmen e të pretendosh ta ndreqësh të tashmen , ai blen të nesërmen për vete dhe familjen e tij…

Ti, vazhdo të moralizosh e të shesësh pedagogji; të pretendosh që ta bësh atë “më njerëzore” e,  unë, thotë ai, do të vazhdoj të fitoj hapësira të reja gri.

Sa herë që kundroj këtë siluetë me syza gri e të pispillosur si me i dhënë  mut me krande, vetëtimthi më vete mendja te një thënie e një mençuraku, më saktë të them: të Auerbahut,  që kur paskësh takuar siluetat me syza gri, të ketë thënë: “ Ka njerëz, tek të cilët, si në magazinat moderne, gjen çdo gjë në vitrinë, por kur hyn brenda sheh se janë bosh”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button