RMV, vetëm 15 inspektorë kontrollojnë rreth 1 mijë autobusë! (Infografik)

Inspektorati Shtetëror i Transportit ka vetëm 15 inspektorë për të kontrolluar 996 autobusë të transportit ndërkomunal dhe ndërkombëtar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për 16 muaj ka regjistruar vetëm 8 raste të mbingarkesës së autobusëve të transportit ndërkomunal, e kurse Portalb.mk 2 sosh i ka regjistruar vetëm për një muaj.

Sipas dispozitave ligjore, ISHT-ja realizon mbikëqyrje të transportit ndërkomunal dhe ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, transportin e materialeve të rrezikshme, kohën e punës së punëtorëve mobil dhe vozitësve në komunikacionin rrugor, mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve shtetërore si dhe mbikëqyrjen e teleferikëve dhe ski-ashensorëve. Për të gjitha këto, inspektorati vepron me: 15 inspektorë shtetërorë për transport, 9 inspektorë shtetërorë të rrugëve dhe 1 inspektor shtetëror për teleferik dhe ski-ashensorë, transmeton Portalb.mk.

Këto i bëri të ditura inspektori shtetëror, Rufat Huseini.

“Në periudhën prej 2018-s deri në maj të 2019-s, nga ana e Inspektoratit Shtetëror për Transport janë evidentuar gjithsej 8 parregullsi që kanë të bëjnë me mbingarkesën e udhëtarëve. Këto lloj të shkeljeve nga ana e Inspektoratit Shtetëror për Transport janë vërejtur përgjatë inspektimit të rregullt (panit mujor) apo në vendngjarje, por një pjesë edhe me denoncim apo parashtresa nga vet qytetarët”, tha drejtori i ISHT-së, Rufat Huseini.

Bëhet fjalë për autobusët e kompanive transportuese si: Ekstra Bus DOOEL – Kavadar, Strumica Ekspres – Strumicë, Delfina Tours – Shkup, Metro Trans – Debresh (2 herë), Rama Turs – Debresh, Martinoski – Strugë dhe Mario Trans – Makedonski Brod.

Portalb: Si përcaktohet Plani Mujor për kontrollet?

Rufat Huseini: Plani mujor përgatitet veçmas për çdo inspektor të planifikuar: inspektimet në selitë e kompanive, inspektimet në terren, vendi dhe koha e inspektimit. Numri i inspektimeve përcaktohet në bazë të volumit të punës gjatë inspektimit. Një inspektor brenda një muaji mund të kryejë 15 deri 20 inspektime. Të gjitha inspektimet e realizuara në bazë të planit mujor janë inspektime të rregullta.

Inspektori Shtetëror i Transportit, Rufat Huseini
Inspektori Shtetëror i Transportit, Rufat Huseini

Duke e pasur parasysh se një nga problemet e shumta me të cilën ballafaqohen qytetarët është edhe mbingarkesa e autobusëve, në lidhje me këtë inspektori Huseini tha se, nuk janë evidentuar raste të shitjes së biletave më shumë se sa numri i ulëseve në autobus. Sipas tij, problemi me mbingarkesën vjen pasi që autotransportuesve u lejohet të marrin udhëtarë edhe në pika tjera.

“Inspektorati Shtetëror për Transport nuk ka vërejtur lëshime në shitjen e biletave më shumë se numri i ulëseve të autobusit të linjës së caktuar nga stacionet e autobusëve në lidhje me transportin ndërkomunal. Problemi është se autotransportuesve u lejohet të marrin udhëtarë edhe në pika të tjera në bazë të orarit të qarkullimit dhe në këto pika krijohet ajo mbingarkesë që është më e theksuar në qytetin e Shkupit”, tha Huseini.

I pyetur se nëse Inspektorati ka propozuar marrje të licencës ndaj transportuesve ndërkomunal, u tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Janë propozuar katër kërkesa për transportuesit ndërkombëtar, ndërkaq për ndërkomunal jo.

Portalb: Në cilat raste propozoni marrje të licencës së autobusëve të transportit ndërkomunal? Çfarë shkelje duhet të bëjë kompania transportuese që ju të propozoni marrje të lejes?

Rufat Huseini: Në bazë të dispozitave të Ligjit për transport në komunikacionin rrugor, nëse inspektorët shtetëror për komunikacionin rrugor gjatë kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese vërtetojnë se janë bërë ndryshime në pikëpamje të plotësimit të kushteve në bazë të së cilave i është dhënë licenca përkatëse, si zvogëlim i numrit të automjeteve të vozitësve dhe të ngjashme, do t’i paraqesë propozim ministrit të Transportit dhe Lidhjeve që të miratojë aktvendim për marrjen e licencës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button