Egjipti, Jordania dhe Maroku do të marrin pjesë në konferencën për Lindjen e Mesme

Egjipti, Jordania dhe Maroku e kanë informuar administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se do të marrin pjesë në konferencën e organizuar nga SHBA-ja, këtë muaj në Bahrein, ku do të prezantohet një pjesë e planit të paqes ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, njofton REL.

Pjesa e planit që do të prezantohet, ka të bëjë me investimet për zhvillimin ekonomik të palestinezëve.

Pjesëmarrja e Egjiptit dhe Jordanisë konsiderohet veçanërisht e rëndësishme, pasi që historikisht ato vende kanë qenë lojtarë kryesorë në përpjekjet paqësore izraelito-palestineze, dhe janë gjithashtu, të vetmet shtete arabe që kanë arritur marrëveshje paqësore me Izraelin.

Megjithatë, vendimi i liderëve palestinezë për të bojkotuar konferencën e 25 dhe 26 qershorit ka ngritur dyshime rreth mundësive të saj për sukses.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka quajtur planin e tij të paqes si “marrëveshje të shekullit”.

Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, njëherësh arkitekti kryesor i dokumentit, ka thënë më herët se plani “do t’i ndihmojë këta njerëz të fillojnë të jetojnë një jetë më të mirë”

Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë konfirmuar më parë pjesëmarrjen e tyre, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Mirëpo ai nuk pranoi të tregojë se cili do të jetë niveli i përfaqësimit që do të dërgojnë këto vende në konferencë. Zyrtarët e SHBA-së, më herët kanë thënë se po i ftonin ministrat e ekonomisë dhe të financave, si dhe drejtuesit e biznesit nga rajoni dhe nga mbarë bota. Institucionet botërore financiare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore gjithashtu planifikojnë të jenë të pranishme.

Administrata amerikane nuk ka njoftuar, se kur do të prezantohet pjesa tjetër e planit, në të cilën ekzistojnë zgjidhjet për çështjet politike që përbëjnë thelbin e konfliktit izraelito-palestinez.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button