U deklarua PTHP-ja për arrestimin e Jahiut: Bashkë me të dyshuarin e dytë kanë pranuar ryshfet me dhjetëra mijëra euro

I dyshuari i parë thuhet se nga ndërmjetësuesi ka marrë dhuratë në vlerë prej 39.930 euro, ndërkaq i dyshuari i dytë në vlerë prej 2.500 euro.

Gjatë ditës së sotme, Sektori për shkatërrim të krimit organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), me urdhër të prokurorit publik përgjegjës nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Publike në Milano të Italisë, me përkrahje të “EURODREJTËSI”, ka realizuar operacion të koordinuar policor për sigurim të dëshmive për “pranim të ryshfetit” nga ana e dy sekretarëve shtetëror gjatë zgjedhjes së personit juridik për realizim të projektit të financuar nga ana e Fondeve IPA, transmeton Portalb.mk.

Nga Prokuroria Themelore Publike (PTHP) kanë njoftuar se janë realizuar pesë bastisje në RMV dhe tetë në Itali: Pesë bastisje në Shkup dhe Kumanovë, prej të cilave dy në persona juridik dhe një në Ministri, si dhe në tetë persona juridik në Itali.

Gjatë kësaj, MPB-ja ka konfiskuar dhjetë kompjuterë, tabletë, dy revole, mjete parash, dokumente voluminoze dhe një person është privuar nga liria.

Nga PTHP-ja më tej kanë njoftuar se prokurori përgjegjës i PTHP-së për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dhënë urdhër për realizim të procedurave hetimore kundër dy funksionarëve shtetërorë.

“Është sjellë Urdhër për realizim të procedurës hetimore kundër dy personave – funksionar i emëruar në organ shtetëror dhe ish udhëheqës i të njëjtit sektor në të njëjtin organ shtetëror. Për të dyshuarit, shtetas të RMV-së, ekziston dyshimi se kanë kryer veprën penale – pranim të ryshfetit që parashihet dhe dënohet me nenin 357 në lidhje me paragrafin 1 në lidhje me nenin 45 nga Kodi Penal”, njoftojnë nga PTHP-ja.

PTHP-ja ka parashtruar propozim për parashtrim të masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë, i cili thuhet se është sekretari shtetëror aktual në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë (MSHIA) – Jahi Jahiu, ndërkaq i dyshuari i dytë i panjohur deri më tash, për momentin është jashtë territorit të RMV-së.

Nga PTHP-ja sqaruan se ky aksion vjen pas një hetimi kriminalistik të realizuar gjatë dy muajve paraprak. Janë realizuar verifikime dhe vërtetim të dyshimeve gjatë ndarjes së mjeteve nga Fondet IPA në vlerë prej 1.2 milionë euro, në periudhën 2014-2016, ku të përfshirë kanë qenë dy shtetasit e RMV-së, ndërkaq veprimet janë kryer në Itali, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar, Rumani dhe në shtete të tjera. Në kuadër të “EURODREJTËSI”, në Hagë është mbajtur mbledhje koordinuese e punës.

Si ka ndodhur vepra që dyshohet se është krim?

Të dyshuarit si persona zyrtarë gjatë periudhës kohore qershor 2014 – gusht 2015 nga personi juridik italian, nëpërmjet ndërmjetësuesit – shtetasit italian këshilltar në personin juridik dhe shtetas anglez – partner në personin juridik anglez me seli në Shkup, kanë pranuar dhuratë – udhëtim jashtë vendit në vlerë prej 7000 euro që të kryejnë veprime zyrtare që nuk do të duhej ta kryenin.

Ata si persona zyrtar, para se zyrtarisht të hapen kushtet për punë të personit juridik – aplikues në tender, i kanë mundësuar qasje të detajuar në informacione të besueshme të tenderit. Me këtë procedurë të dyshuarit edhe pse e kanë ditur se shpërndarja e informacioneve me aplikant dhe aplikant potencial është e jashtëligjshme, ata i kanë shkelur ligjet dhe parimet e besueshmërisë dhe trajtim të njëjtë. Si rezultat, i njëjti person juridik është zgjedhur për realizim të projekteve IPA dhe është arritur marrëveshje  në vlerë prej 1.096.900 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button