Kosovë: Ndryshimet në Projektligjin e punës dhe ai për lehonat – avancim i ligjit aktual

Që nga viti i kaluar, në Kuvendin e Kosovës, është duke u punuar në ndryshim-plotësimin e fushës së marrëdhënies së punës, përmes Projektligjit të punës, i cili pos në Komisionin për Punë dhe Mirëqenie Sociale, është shqyrtuar në lexim të parë edhe në seancë plenare.

Ndryshimet në këtë fushë, kanë qenë kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian (BE), i cili ka dhënë një sërë direktivash për hartimin e Projektligjit të punës.

Ndryshe nga Ligji aktual i punës, ky Projektligj parasheh trajtim të lehonave dhe prindërve me ligj të veçantë.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se kjo ndarje, është bërë me qëllim të avancimit të të drejtave të lehonave dhe prindërve. Mimoza Kqiku, këshilltare e ministrit të Punës, Skënder Reçica, tha për Radion Evropa e Lirë, se “Ministria e Punës synon që përmes Projektligjit të punës, dhe atij për lehonat dhe pushimin prindëror, të kompletojë reformën në fushën e marrëdhënies së punës”.

Kqiku tha se versioni i aktual i Projektligjit për lehonat, i cili është dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës, parasheh trajtimin e të dy prindërve, si dhe të lehonave të papunësuara.

“Në Projektligjin për lehonat, ne kemi menduar, për herë të parë, që të trajtojmë edhe lehonat e papunësuara, duke i kompensuar me një shumë të caktuar të pagës minimale. Gjithashtu, për herë të parë kemi futur edhe konceptin e pushimit prindëror, që do të jetë një e drejtë e garantuar e nënës dhe e babait, që merret pas pushimit të lehonisë së gruas, dhe pastaj fillon pushimi prindëror, që është e drejtë e garantuar për nënën dhe babanë, me kohëzgjatje të caktuar derisa fëmija t’i mbushë dy vjet”, theksoi Kqiku.

Derisa Projektligji i punës është shqyrtuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, ai për lehonat është prapa në procedura, pasi ende është në pritje të miratimit nga Qeveria, e cila, në rast miratimi, ia dërgon atë Kuvendit.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, tha për Radion Evropa e Lirë, se përkundër disa mangësive, Projektligji i punës, përbën avancim nga ligji aktual.

Megjithatë, ajo është kritike për “vonesat” lidhur me Projektligjin për lehonat dhe pushimin prindëror. Sipas saj, meqë njëri nga nenet e Projektligjit të punës, parasheh që pushimi i lehonisë dhe të drejtat e prindërve të rregullohen me ligj të veçantë, të dy projektligjet duhet të miratohen njëkohësisht, për t’i ikur vakumit ligjor.

“Është një problem, që është diskutuar edhe në komision edhe në seancë. Projektligji i punës, faktikisht, neni i cili thotë se pushimi i lehonisë, pushimi i atësisë, pushimi prindëror, rregullohet me ligj të veçantë, e në anën tjetër, Qeveria, gjegjësisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Kuvend ka sjellë vetëm Projektligjin e punës, ndërsa Projektligjin për pushim të lehonisë, pushim të atësisë dhe prindëror, nuk e kemi. Prandaj, këtu mbetet një vakum, nëse ky projektligj hyn në fuqi e bëhet ligj, pas votimit në lexim të dytë, atëherë si do të rregullohet pushimi i lehonisë, kur ajo mbetet në vakum?”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button