Diskursi shovinist, në mbështetje të ideve politike të Serbisë

Diskursi publik me shprehje ofenduese dhe pezhorative, të cilin autoritetet e Serbisë po e përdorin muajt e fundit ndaj liderëve institucionalë dhe shqiptarëve të Kosovës, nuk është i ri, por ky diskurs tashmë ka marrë formë fushate dhe nuk është i rastësishëm, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi.

Ata thonë se në mjaft raste opinioni tashmë i ka dëgjuar zyrtarët e lartë të Beogradit, sikurse presidentin Aleksandar Vuçiq, ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, dhe ministrin e Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, të përdorin terma ofendues për liderët politikë të Kosovës si “kriminelë”, “terroristë”, “mjeranë”, “fundërrina” e të tjera.​

​Ministri Vulin për shqiptarët përdor termin pezhorativ “shiptari”, ndërkaq kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, së fundmi, ka thënë se disa zyrtarë të Kosovës ‘kanë dalë nga mali’. Deklarata e kësaj të fundit ka nxitur reagimin edhe të Bashkimit Evropian.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, diskursi aktual i zyrtarëve të lartë të Beogradit, ndërlidhet me zhvillimet politike, të cilat kanë të bëjnë me raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë që ky diskurs kryesisht përdoret nga politikanë serbë që i kanë takuar kohës së ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq.

“Ky përdorim i këtij diskursi, nuk është i rastësishëm tash. Të mos harrojmë se presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq e ka pasur një ide dhe qëllim që të zgjidhë çështjen e Kosovës në raport me Serbinë, sipas disa pretendimeve të tij. Duket se kjo ka dështuar dhe si rezultat i kësaj, tash ai (Vuçiq) dhe kryeministrja e Serbisë (Ana Bërnabiq), por edhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë, nuk po hezitojnë që të përdorin këtë diskurs kundër shqiptarëve të Kosovës”, thekson Mushkolaj.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button