Igli Tare: Shqipëria mund të dalë në vendin e dytë

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare është një nga njohësit më të mirë të trajnerit aktual të Kombëtares kuqezi, nisur edhe nga fakti i bashkëpunimit me të te lacialët vite më parë, transmeton TopChannel.tv.
“Edi Reja është njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Por, çdo gjë është e lidhur me rezultatet, kështu që Kombëtares shqiptare që është e ndërtuar me një përzierje lojtarësh, me eksperiencë dhe shumë të rinj, eksperienca e tij do të jetë ndoshta çelësi i suksesit për dy vitet e ardhshme”, tha Igli Tare.
Për këdo që ka dilema rreth moshës 73-vjeçare të Edy Rejës, Igli Tare ka një shpjegim.
“Mosha është thjesht një numër. Ai është një 73-vjeçar që bën jetën e një 40-vjeçari, shumë energjik dhe i pëlqejnë sfidat. Kam folur gjatë me të, i kam dhënë mendimin tim për ekipin dhe besoj se me kualitetet që janë, kjo skuadër mund të luftojë për vendin e dytë apo të tretin në grup”, tha Igli Tare