Studime orientale: Ndryshe për lindjen

Orienti paraqet një term historik për hapësirën e Lindjes, që tradicionalisht përbëhet nga ajo që i përket botës lindore në relacion me Europën apo Perëndimin; vete ngërthen rajonet e Lindjes së Afërt, të Lindjes së Mesme dhe të Largët, që nga kultura perëndimore paraqiten si tjetri ekzotik, “plot energji” dhe misteriozë.

Me shekuj, nga viti 1514, në vatrën e studimeve shkencore në veçanti ka qenë Lindja e Mesme që thuajse është bërë një me Orientin (ndonëse studimet për Orientin përfshijnë edhe studimet aziatike, sinologjinë, indologjinë etj.) për të cilin janë krijuar stereotipa të ekzagjeruar: si statik, i mangët në subjektivitet, që ka nevojë për ndihmën perëndimore për të konfiguruar indetitetin e vet. (Raj, 2015) Ligjërata e krijuar për Orientin që bazohet në vështrime antropologjike, sociologjike, analiza të dokumenteve historike, institucioneve, arkivave dhe teksteve letrare në përgjithësi është përçmuese, kolonizuese.

Kjo është qasja të cilën Edward Saidi e quan orientalizëm. Pra Perëndimi ka prodhuar në perceptim të vetin për lindorët dhe këtë e ka lançuar globalisht, duke i bindur madje edhe vetë ata se janë një racë e dominuar nga një subjekt që i njeh ata dhe atë që është e mirë për ta më mirë se sa ata mund ta njohin vetveten.

Sidoqoftë, Orienti mbetet një temë aktuale dhe shumë interesante, në veçanti për Perëndimin, i cili merret me ktë temë deri në nivelet universitare. P.sh. në webfaqen e departamentit të studimeve orientale të Universitetit të Oksfordit mes tjerash thuhet se i njëjti  ”synon t’i njoftojë studentët me qytetërimet që janë të ndryshme nga ato të Perëndimit, mbi çka mbështetet kuirikula e shumicës së shkollave dhe kolegjeve britanike.” Instituti Oriental i Çikagos synon studimin e qytetërimeve të Lindjes së Mesme duke kombinuar inovacionin në teori, metodologji dhe zbulime empirike me standardet më të larta dhe më rigoroze të shkollarisë. Sipas Langugaes O’ franceze gjuhët dhe civilizimet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë janë gjithnjë e më tepër qendër e çështjeve të shekullit tonë.

Në kuadër të Akademisë Ruse të Shkencave funksionon edhe Universiteti Oriental. Interesimi për Orientin është jashtëzakonisht i gjallë dhe dinamik, në veçanti në shekullin XXI kur kemi një tablo turbulente dhe anarkike që tërheq edhe më tepër studiuesit anekënd botës, në sfera si arkeologjia, historia, filozofia, feja dhe studimet sociale moderne. Këndvështrimi shqiptar për Orientin, me nuanca të vogla, bazohet në matricën orient-përjashtuese, ndonëse me të kemi lidhje shekullore politike-kulturore, ndonëse kemi kuadro të shumtë që kanë studiuar në vendet arabe, Turqi, Iran, Afrikën Veriore, Malajzi e Borneo, madje edhe katedra të orientalistikës dhe institucione të studimeve orientale, me të cilat jemi vonuar krahasuar qendrat e afërta shkencore (Beogradi qysh më 1926, Sarajeva 1950), lë më ato botërore (Paris-1669, Moskë-1818, Vladivostok-1899, Romë-1917, Çikago-1919, Pragë-1922).

Para një muaji (2 qershor) në Prishtinë Instituti për Studime Orientale, i themeluar më 2016, bëri promovimin e një kontributi të çmuar për orientalistikën dhe shkencën shqiptare në përgjithësi, – pas një pauze të gjatë, numrin e katërt të revistës shkencore “Studime Orientale” (gjithsej 242 fq.), që në bordin e vet ka hulumtues nga Franca, Egjipti Turqia, Irani, Bullgaria, Kroacia, Tunizia, Polonia etj., emra të shquar si Nathalie Clayer, shkrime në gjuhën shqipe, boshnjake, angleze, arabe, turke dhe persiane që këtë radhë trajtojnë tema të ndryshme si “zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale: shekulli XVIII deri në fillet e Rilindjes Kombëtare”, “Fjalori historik i arabishtes i Dohës”, “Aristoteli në medresetë shqiptare”, “Ndikimet e mesnevive dashurore në vargjet e poetëve boshnjakë të divanit”, epitafet në gjuhën osmane në rajonin e Prishtinës”, “Mehdi beu, qeverisësi i Jerusalemit-1912”, “egjiptianët e Kosovës”, “përkthimi i ri i Mukaddimes në gjuhën shqipe”, “veshjet tradicionale të fshatit Bardhi”, Sadi Shirazi” etj.

Ndërkohë, disa janë të mendimit se “duhet ngritur një murë kinez ndaj Lindjes, duhet shkëputur totalisht prej saj, sepse jemi oksidentalë”, sepse “dielli ynë lind në perëndim”, qëndrime këto sociologjikisht dalin të pabaza sepse e tërë historia jonë 5-6 shekullore është ngushtë e lidhur edhe me diellin e Lindjes, siç është e lidhur edhe me atë Perëndimit. Nga boza, bakllavaja,  hamami, ezani, avllitë, te emrat tonë e të farefisit, ato të të Ismail Qemalit, Adem Jasharit, e Ferid Muratit, mendësia, maniret e shumta e të ngjashme, kemi elemente që flasin për pjesën tonë orientale.

Andaj hulumtimet shkencore janë ato që duhet ta thënë të vërtetën lidhur me ndërveprimet dhe akceptimet kulturore, lidhur me marrëdhëniet mes kombeve kulturave dhe  qytetërimeve, jo cektësitë e emocionalistavë që veprojnë në bazë të “njohurive me doza” dhe paragjykime. Nëse popujt e ngritur harxhojnë gjithë atë buxhet për të hulumtuar Orientin, nëse kanë katedra me kuadër vendor dhe të huaj, nëse kanë institute (si Middle East Institute) që veçanërisht merren me të kaluarën dhe trendet e tashme të frymimit të Lindjes, ne shqiptarët kemi shumë më tepër nevojë për të analizuar dhe zbërthyer veten apo një pjesë të mirë të vetes tonë.

Teologjia dhe orientalistika e shëndoshë mund të na ndihmojnë shumë, andaj publikimet si ky janë frytdhënëse për ndërtimin e një qytetërimi multikulturor të shekullit XXI, kur s’mund të garosh në arenën ndërkombëtare pa agregatin më të rëndësishëm: shkencën objektive. “Studime Orientale” ka rol me peshë në ruajtjen e diskursit profesional, kërkimor me metodologji të avancuar në një kohë kur kemi një “vërshim botimesh e përkthimesh” shpesh amatore, në të cilat kauza del para kritereve dhe e ngulfat nivelin dhe me këtë edhe kulturën në përgjithësi. Kjo revistë, ku kontribut të çmuar jep edhe një shqiptar i Maqedonisë së Veriut, prof. F. Mehdiu, e shpalos Orientin por në të njëjtën kohë edhe i promovon vlerat tona në vendet e Lindjes dhe gjithandej. Kryeredaktori, Prof. Mufaku dhe ekipi i Institutit meritojnë respekt për këtë prurje akademike-dhe aktivitetet tjera-, që e pasuron arkën tonë kulturore-shkencore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button