Greqia ka 75 mundësi që ta bllokojë integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Maqedonia e Veriut do të mundet të bllokohet në rrugën e integrimit në BE nga Greqia për 75 herë. Këtë sot e konfirmoi drejtori i OJQ-së “Eurothink”, Lupço Petkovski, në lidhje me paralajmërimet e liderit të opozitës greke Kirjakos Micotakis, në lidhje me bllokadën e integrimit, i cili pritet të vijë në pushtet, pasi i fitoi zgjedhjet evropiane, njofton Portalb.mk.

“I kemi numëruar dhe janë 75 raste ku Greqia mund të na bllokojë në integrimin evropian. Për çdo hapje dhe mbyllje të kapitujve për bisedime na nevojitet pajtueshmëri nga çdo shtet-anëtar. Ky është rregulli se si funksionon procesi i integrimit. Atë nuk mundemi ta kontrollojmë”, tha sot Petkovski gjatë, takimit me gazetarët në lidhje me publikimin e raportit të progresit nga KE.

Por, sipas tij, Micotakis, pasi të vijë në pushtet do ta zbusë qëndrimin e tij në lidhje me këtë dhe se kjo ka qenë vetëm retorikë parazgjedhore me qëllim që të dalë patriot përpara elektoratit.

“Unë nuk mendoj se Micotakis nëse vjen në pushtet do të jetë aq këmbëngulës në bllokadë sa kur ka qenë në opozitë, kjo ka qenë retorikë parazgjedhore. Politika e tij është sikur e Mickoskit të VMRO-DPMNE-së, tjetër kush duhet ta mbarojë punën e fëlliqur, ndërkaq ai të dalë patriot, ndërkaq më pas të vijë në pushtet i pastër dhe çështjen ta fsheh ndër tepih dhe të mos e shfrytëzojë aq sa kur e ka shfrytëzuar kur ka qenë në opozitë – politikë klasike ballkanike”, shtoi Petkovski.

Micotakis, disa herë ka deklaruar se nëse vjen në pushtet nëpërmjet mjeteve juridike do ta bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, me qëllim që siç ka thënë ai, t’i zbut dëmet nga Marrëveshja e Prespës.

“Do ta shfrytëzoj çdo mjet juridik dhe diplomatik për zbutjen e pasojave negative nga Prespa. Dhe nuk do ta lëshoj të drejtën e vetos për çdo kapitull në lidhje me integrimin e Shkupit në BE. Që vendi të hyjë në BE ekzistojnë 35 kapituj për të cilët duhet miratim në fillim që të hapen dhe pastaj që të mbyllen. Këto 35 kapituj patjetër të mbarohen që të shkojë përpara integrimi evropian i Shkupit. Ata as nuk do t’i hapin, as nuk do t’i mbyllin, nëse paraprakisht nuk kënaqen pozitat greke”, ka deklaruar Micotakis.

Ndryshe, gjatë muajit të ardhshëm pritet që të organizohen zgjedhje të parakohshme në Greqi, pasi partia e kryeministrit Aleksis Cipras, Syriza pësoi humbje në zgjedhjet evropiane nga opozitarja Demokracia e Re e Krijakos Micotakis. Në zgjedhjet për Parlamentin e BE, Syriza ka marrë 23,8 përqind të votave, ndërkaq Demokracia e Re 33,2 përqind. Micotakis ishte një kundërshtar i hapur i Marrëveshjes së Prespës, me të cilën u zgjodh kontesti për emrin e shtetit të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button