fbpx

Po publikohen “bomba” të reja, Zaev s’i ka dëgjuar, BDI kërkon përgjegjësi nga institucionet

Një profil në rrjetin social Fejsbuk me emrin “El Cheka”, ka disa ditë që po shpërndan disa materiale të përgjuara apo të ashtuquajtura “bomba”, të cilat datojnë nga periudha 2008-2015-të, periudhë në të cilën Policia Sekrete përgjoi ilegalisht mijëra qytetarë dhe më pas një pjesë të atyre bisedave i publikoi ish lideri i opozitës Zoran Zaev.  Në këto biseda të përgjuara dëgjohen funksionarët e BDI-së duke folur mes vete, por ka biseda edhe mes tyre dhe funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, me të cilët asokohe ishin në pushtet, njofton Portalb.mk.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, thonë se në koordinim me Prokurorinë Publike po ndërmerren të gjitha masat e domosdoshme për pastrimin e rastit me plasimin e incizimeve nga bisedat e përgjuara në rrjetin social Fejsbuk.

“Është konstatuar se kush qëndron mbrapa profilit të Fejsbukut prej ku janë plasuar këto përmbajtje dhe për atë është njoftuar Prokuroria. Gjithashtu, është njoftuar edhe rrjeti social Fejsbuk në lidhje me këtë. Pas pastrimit të plotë të rastit, MPB do të dorëzojë padi penale kundër kryerësit dhe për këtë në mënyrë përkatëse do ta informojë opinionin”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndaj kësaj, ka reaguar vetë personi në Fejsbuk i cili ka ironizuar duke thënë që profili i tij në Fejsbuk është publik dhe s’ka pasur ndonjë gjë të jashtëzakonshme me zbulimin e tij.

“Budallallëku Dui-stave nuk ka fund, më kanë zbuluar?! 😂 po në profilin tim janë të gjitha fotot e mia personale o të mjerë! Dhe këtë e quani krim ashtu! Po vrasjet e ushtarëve të UÇK-së dhe të shqiptarëve a nuk janë krime? Do ngren padi penale? As ju bëj hesap! Zoti bekoftë Shqypnin dhe Amerikën”, shkruan “El Cheka”.

Siç shkruan në profilin e tij, bisedat e përgjuara thotë se ia kanë dërguar disa nga të dënuarit në rastin “Lagjja e Trimave”.

Kryeministri Zoran Zaev sot ka thënë se nuk i ka dëgjuar përgjimet e publikuara ditëve të fundit në rrjetet sociale. Zaev u përmbajt nga komentimi i tyre, duke shtuar se organet hetuese duhet të merren seriozisht me rastin.

“Përgjimet nuk ndikojnë në raportet me BDI-në, kushdo që i publikon përgjimet duhet ta dije që me Marrëveshjen e Përzhinës, opozita ka dorëzuar përgjimet në PSP dhe është ndaluar publikimi i tyre”, tha Zaev, duke shtuar në mënyrë indirekte se nuk mohon mundësinë që përgjime të posedojnë një palë e tretë, pasi sipas tij opozita ka poseduar vetëm 1/3 e materialit të përgjuar në DSK.

BDI kërkon përgjegjësi nga organet kompetente, pasi që sipas tyre, e njëjta vazhdimisht po përsëritet dhe askush nuk po ndëshkohet.

“Prokuroria, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të merren pasi që po shohim përsëritje dhe vazhdimësi që nga viti 2015-të pa asnjë rezultat konkret, gjithnjë me identifikim të problemit dhe jo me zgjidhje. Unë gjykoj se duhet të kërkohet përgjegjësi nga të gjitha këto institucione, pasi që në këtë mënyrë nuk mund të zhvillohet shoqëria dhe nuk mund të funksionohet me metoda të tilla të veprimit që nuk mund t’i shohim askund në botë. BDI-ja në vazhdimësi është pjesë e sulmeve nga grupe të caktuara qoftë ajo me propagandë, lajme të rreme apo mënyra të tilla dhe ka ngadhënjyer në të gjitha këto procese për arsye se shohim që asnjë krim, korrupsion, keqvajtje nuk dokumentohet nga të gjitha këto përpjekje”, thotë për Portalb.mk, deputeti i BDI-së Artan Grubi.

Paraprakisht, në internet janë publikuar katër biseda të përgjuara nga një person me emrin “Ilija Gromovnik”, ndërkaq bisedat janë publikuar në rrjetin rus Vk.com, nën hashtagun “Çiço” dhe “Makedonija”. Shfrytëzuesi me të njëjtin pseudonim ka publikuar katër biseda me titujt: “Oliver dhe Gordana”, “Koço dhe Sashe”, “Frçko dhe Albert Musliu” dhe “BC dhe Damjan Mançevski”.

Ndryshe me Marrëveshjen e Përzhinës në vitin 2015-të, u formua Prokuroria Speciale, e cila mori për detyrë t’i hetojë rastet të cilat dolën nga përgjimet e paligjshme nga viti 2008-të deri në vitin 2015-të, të cilat biseda i publikonte asokohe Zaev. Pas formimit të PSP-së, këto materiale u ndalua që të publikoheshin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button