Korrespondencë me ish-shokun tim të Armatës Jugosllave (Pjesa I)

Pas botimit të shkrimit tim mbi Emir Kusturicën kam pasur një shkëmbim mesazhesh me një ish-shokun tim serb të shërbimit ushtarak. Kjo korrespondencë midis nesh u zhvillua si më poshtë:

LEXO: Duke pritur dobësimin e SHBA-s dhe shpërbërjen e Bashkimit Evropian (Pjesa II)

Mlladeni: “I nderuari shoku im i ushtrisë, Merxhan. Javën e kaluar lexova artikullin tuaj “Emir Kusturica – një rus i vogel”. Ky palaço boshnjak, i konvertuar në fanatik ortodoks, ka ringjallur fantazma, ka dhënë kushtrim për nxitje të armiqësive dhe urrejtjes etnike, ka lëshuar thirrje histerike për nxehjen e gjakrave dhe hapjen e plagëve të vjetra.

Duke bartur ikonat e Shën Stefanit dhe duke nxjerrw nga varri eshtrat e Car Llazarit, me flamuj të kryqzatave, populli serb i kthehet Mesjetës dhe Inkuizicionit.

Ne serbët, shoku im i nderuar Merxhan, kemi me bollëk prototipa që janë mostër e nacionalistëve dhe shovinistëve si Kusturica. Tashmë jemi lodhur nga fenomeni i të jetuarit me mite, idole dhe kulte. Për mua nuk është me rëndësi nëse Emir Kusturica është konvertuar në një fe tjetër apo nëse është me origjinë serbe ose shqiptare. Neve nuk na duhej Kusturica. Populli serb ka nevojë për një Kusturicë i cili do të apelonte me spektër të gjërë, horizont dhe vision drejt paqes, tolerancës, mëshirës dhe faljes.

Merxhani: Ish-shoku im Mlladen, Për vitet e periudhës ushtarake kam nostalgji. Më kujtohet një rast kur ti më the se ju shqiptarëve ju shikojnë me një dozë urrejtjeje dhe ju trajtojnë si dele e zezë. Mlladen, besoj se të kujtohet kur Ivica më tha: “Ti shoku Merxhan dukesh sikur nuk je shqiptar.” Kurse ti, i skuqur në fytyrë, i the: “Sa shqiptarë njeh ti, shoku ushtar?” Unë i thashë: “Në Jugosllavi jetojnë afër dy milionë shqiptarë. Sa përqind njeh ti?” Ai më tha se kur kishte qenë në shkollën fillore kishte njohur një bukëpjekës shqiptar: “Kam njohur kur isha në shkollën fillore një bukëpjekës shqiptar. Shpesh ai na jepte byrek dhe kifle pa para. Kam njohur edhe një nxënës në klasë që ishte shumë i sjellshëm.”

I nderuari shoku im, Mlladen. Më kujtohet kur lexonim së bashku romanin “Gruaja nga Roma” të Alberto Moravias. Një herë tjetër kisha në dorë dhe po lexoja një vepër të shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare. Shoku Jovan me urrejtje patollogjike dhe fyerje më tha: “Ju shqiptarët këtu keni pasur fat që nuk mbetët në bastionin stalinist, nën regjimin më bizar të Enver Hoxhës. Sikur të ishit, do të hanit bukë misri me triska dhe do të hapnit kanale si në regjimin e Pol Potit në Kamboxhia.”

Shoku im i nderuar. Edhe pse kanë kaluar 40 vjet, akoma kam nostalgji për kohën e rinisë. Më kujtohet revista kroate “Start”. Në kopertinën e saj titulli me maksimën e Karl Marksit “Proletarët e gjithë botës…”. Aty kishte një pasazh mbi lumpen-proletariatin dhe përhapjen e ideve komuniste nga Lindja në Perëndim. Në repartin tonë na mbante ligjërata në orën politike kapiteni me kombësi shqiptare, i cili ishte një predikues brilant, intelektual, plot energji dhe titist i përbetuar. Më kujtohet, Mlladen, kur ti ia tregove pasazhin dhe bëre një koment të shkurtër. Ndërkohë kapiteni, i skuqur në fytyrë, të ndërpreu dhe filloi të mbrojë tezën dhe doktrinën marksiste-leniniste. Kur dolëm në korridor, më kujtohet kur kapiteni na tha: “Ju , çuna, mos hyni shumë thellë. Keni kujdes. Është mirë të kryeni shërbimin ushtarak me dinjitet dhe të ktheheni në shtëpi shëndosh e mirë. Mund të ndodhë që brenda natës të shndërroheni në disidentë.”

Para dhjetë vitesh, Mlladen, takova rastësisht kushëririn e kapitenit tonë, shokun tonë të ushtrisë nga Manastiri. Ai më tregoi se pas shpërbërjes së ushtrisë jugosllave, kapiteni ynë, tashmë si major i ushtrisë jugosllave, kishte dezertuar dhe ishte aktivizuar si gjeneral i ushtrisë së Republikës  ish-Jugosllave të Maqedonisë [sot Maqedonisë së Veriut]. Shoku ynë nga Manastiri na tregoi se pas vdekjes së Titos, sidomos pas vitit 1981, ishte e vështirë të ishe epror ushtarak shqiptar në armatën jugosllave, Kështu i kishte thënë kapiteni ynë.

“Anekdotë ushtarake”

I nderuari armiku im i dashur. Më kujtohet anekdota ushtarake që na e tregoi kapiteni ynë shqiptar. Ishte fillimi i vitit 1979. Lufta kinezo-vietnameze. Shkaku i konfliktit dhe luftës, sipas metaforës, kishte qenë një mollë sherri e shkaktuar nga disa ushtarë. Ushtarët vietnamezë kishin shkelur zonën kufitare kineze dhe kishin bërë nevojën. Jashtë qitje. Dy palët kishin thirrur ekspertë nga SHBA, Japonia, Anglia dhe më gjërë për egzaminimin dhe përcaktimin e përmbajtjes së sherrit. Sipas tyre, ishte e pamundur të identifikohej dhe të zbulohej se cilët ushtarë kishin qënë. Në fund dolën bullgarët e thanë: “Duam ta provojmë edhe ne, ndonëse e dimë që do t’ju duket absurde e qesharake.” Bullgarët në fund kishin zbuluar se ishin rusët autorët e jashtëqitjes në zonën kufitare kineze. Të gjithë mbetën të habitur dhe i pyetën bullgarët se si e kishin zbuluar dhe identifikuar. “Nuk është për t’u habitur,” thanë bullgarët. “Ne kemi më shumë se dyzet vjet që hamë mutin e rusëve”.

Autor: Merxhan Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button