Policia e Kosovës: Dyshohet për mjete shpërthyese në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurori

Policia e Kosovës ka konfirmuar se në hapësirat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe në Prokurorinë Speciale dyshohet se mund të ketë mjete shpërthyes.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shkëlzen Xhafa, tha se Policia kishte pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person kishte thënë se ka vendosur mjete shpërthyese në dy lokacione në rrugën “Luan Haradinaj” në qendër të Prishtinës, ku edhe kanë selitë edhe Këshilli Gjyqësor, Prokuroria dhe Policia e Kosovës, transmeton REL.

Menjëherë pas, stafi brenda ndërtesave është evakuuar, kurse organet e rendit po i zhvillojnë hetimet.

Edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kanë pranuar një telefonatë kërcënuese.

“Një nga punëtoret në Këshillin Gjyqësor, ka marrë një kërcenim me anë të telefonit fiks për një bombë. Na ka njoftuar drejtori i sekretariatit, kemi dalë jashtë, është evakuuar objekti dhe policia është duke kryer punën e vet”, tha ai.

Sipas kryesuesit, kërcënuesi në telefon ka qenë i ashpër.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shkelzen Xhafa
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shkelzen Xhafa

“‘Do t’iu bëjmë rrafsh juve dhe Gjykatën Speciale’, kjo është ajo që na është thënë sepse jemi jashtë dhe nuk kemi bërë bisedë të gjatë”, tha Çoçaj.

Edhe autoritet e rendit kanë konfirmuar lajmin. Zyrtarët policorë thanë se janë duke bërë hetime edhe për siç është thënë bomba të vendosura në dy ndërtesa te sistemit të drejtësisë.

“Çdo kërcënim të tillë policia e trajton shumë seriozisht”, tha Shkëlzen Xhafa, zyrtar i Policisë së Kosovës.

Aktualisht rruga është bllokuar nga policia, e cila ka thirrur njësitet e specializuara, që të hetojnë rastin dhe gjejnë mjetin eventual shpërthyes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button