O tempora, o mores!

Dikur ishte shumë e vështirë të vendoset përgjegjësi të paktën morale për lëshimet e bëra të bartësve të funksioneve publike. Tani nuk është më kështu. Rasti me dorëheqjen e Pavle Bogoevskit nga mandati i deputetit e dëshmon pikërisht këtë.

Nuk do të hy në arsyetimin e asaj se cila është e vërteta në këtë mes. Nuk do ta analizoj në aspektin teknik bisedën komprometuese e cila u publikua. Nuk do e diskutoj as arsyetimin e deputetit në fjalë e as vërtetësinë e atij arsyetimi ose vërtetësinë e aludimeve për bisedën për të cilën u paraqitën dyshime të mëdha në opinion. Ajo që është me rëndësi është se kishte situatë të papërshtatshme ku një deputet pranoi vet me deklarimin e vet se ka bërë diçka të kundërligjshme, pra them, nuk do i referoj arsyetimet për këtë. Ky fakt që ai e pranoi vet me deklaratën e vet publike krijoi ndjesinë se ky do të ishte edhe një prej atyre rasteve kur bartësit e funksioneve pranojnë se kanë bërë gabim por nuk e pranojnë përgjegjësinë qoftë edhe morale për një gjë të tillë. Dhe ja ku e shohim se nuk është ashtu. Përgjegjësi morale edhe mund të mbahet dhe dorëheqje nga një post zyrtar edhe mund të jepet. Dhe këtë para Pavles e kanë dëshmuar edhe të tjerë, kështu të mos harrojmë që duke ndjerë përgjegjësi morale lidhur me rastin e Almirit, edhe përkrah faktit se për shkak të ndarjes së pushtetit nuk kishte mënyrë ligjore si të ndikojë në ndryshimin e rrjedhës së atij rasti, ministri i mëparshëm i drejtësisë, Bilen Salihi dha dorëheqje. Pra kur dikush kur dëshiron të mbajë përgjegjësi morale për bëmat e veta ose për lëshimet e të tjerëve, këtë edhe e bën.

Por ajo që është me rëndësi është se çfarë mësimesh nxjerrim nga këto raste. Mësimi i parë është se kush mban përgjegjësi mban për secilin rast që mund të paraqitet, sado i imët ose i madh qoftë ai. Ndërsa ata që nuk besojnë në përgjegjësi morale, ata nuk mërziten fort për përmasat e rastit për të cilin duhet të dorëhiqen.

Kështu, pas gjithë atyre bisedave telefonike të përgjuara, asnjëri prej të involvuarve nuk e mori parasysh mundësinë për të dhënë dorëheqje vullnetare bazuar mbi përgjegjësinë morale. Kështu Gruevski, zërin karakteristik të të cilit e dëgjuam në të gjitha bombat e opozitës së atëhershme, në asnjë moment nuk e pranoi vërtetësinë e tyre dhe as që barti përgjegjësi morale e në fund as përgjegjësi penale e juridike për ato që bëri e që e dëgjuam të ket bërë. Ai vazhdon të jetë ende deputet, për imunitetin e të cilit duhet të diskutohet në seancë komisioni të udhëhequr nga tjetri deputet që tani po jep dorëheqje për vetëm një bisedë inkriminuese. Gruevski vazhdon të jetë president nderi dhe idhull i të gjithë atyre që mendojnë se ajo që ai bëri 10 vite me ne ishte heroizëm i paparë.

Ndërsa ne duhet të merremi me datën e hapjes së negociatave e të qajmë e të shkulim flokët pse nuk e bëmë më herët Marrëveshjen e Prespës, në një kohë kur ashtu si Rumunia, Bullgaria e vendet e Ballkanit, do të kishim një rrugë shumë më të lehtë për integrim në UE. Por jo, neve duhej të merremi me Gruevskin dhe me gjithë shovinizmin që ai na servoi për një dekadë, dhe tani kur vetëm hapja e negociatave me UEnë është çështje për jetë a vdekje, përsëri idhull të vazhdojë të jetë Gruevski ndërsa tradhëtarë të jenë ata që e “shitën” emrin. Dhe do të vijë koha kur të gjithë këta që kanë sado pak brejtje të ndërgjegjes dhe janë në gjendje të bartin përgjegjësi morale, ta bartin atë pa shumë mendime, ndërsa ata kriminelë të regjur që i ikin drejtësisë çdo ditë të arrijnë të plasojnë vlera kinse morale në shoqëri.

Por koha është një sitë që herët a vonë i ndan vlerat e vërteta nga ato të rrejshmet. Dhe koha do të tregojë se kush në fakt ka bërë gjëra më të vlefshme atëherë kur ka qenë më së vështiri t’i bësh ato, kush ka luftuar kundër autokracisë dhe kush ka qenë vetëm nëpunës i bindur i saj. O tempora, o mores!

Shkruan: Besa Arifi

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button