Shkup, seminar për procesin e bisedimeve me BE-në

Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) në Maqedoninë e Veriut ka organizuar seminar ndërkombëtar me të cilin synon të përgatisë administratën për procesin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, tha se seminari me temë “SÇE, Qendra për trajnime dhe dimensioni i resurseve njerëzore” dëshmon për intensifikimin e aktiviteteve për t’u ballafaquar me procesin e bisedimeve.

Osmani gjithashtu tha se me këtë seminar bëhet përgatitja e SÇE-së për të koordinuar institucionet tjera përkatëse.

“Sekretariati për çështje evropiane mbetet zemra, motori ose mekanizmi kryesor i administratës në këtë operacion të madh në të cilin presim të futet vendi dhe me instrumentet e tija, veçanërisht qendrës për trajnim, do të fokusohet në krijimin e kapaciteteve njerëzore që është sfida më e madhe”, tha ai.

Osmani falënderoi ambasadën franceze në Shkup, e cila mbështeti organizimin e këtij seminari ndërkombëtar.

Ambasadori francez, Christian Thimonier, u shpreh se me këtë aktivitet kalohet nga gjëra abstrakte në gjëra konkrete, duke thënë se e çmon shumë mundin që e bëjnë institucionet e Maqedonisë së Veriut lidhur me proceset eurointegruese.

“Ne e ndjejmë mundin tuaj dhe me të vërtetë jemi me ju, për shkak se e dimë se cili është qëllimi të cilin e synoni, por gjithashtu e dimë që një numër i madh i përpjekjeve dhe pjesë e madhe e punës u realizua në dy vitet e fundit”, tha Thimonier.

Ambasadori francez bëri thirrje për unitet shoqëror, pa marrë parasysh përkatësitë etnike apo politike, për avancimin e shtetit në integrimet evropiane.

Ky seminar ndërkombëtar u organizua në pritje të publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, nga i cili Maqedonia e Veriut pret që në qershor të fillojë bisedimet për anëtarësim me BE-në.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button