Musliu nuk foli për “shqetësimin” e BDI-së, Pendarovski: E kanë lavdruar shërbimet e huaja

Pas deklarimeve të BDI-së, që janë të shqetësuar për emërimin e Eroll Musliut për drejtor të Agjencisë për Zbulim, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski është deklaruar nëpërmjet kabinetit të tij duke theksuar se bëhet fjalë për profesionist, ndërkaq emërimi i tij është vlerësuar edhe nga shërbimet partnere, njofton Portalb.mk.

“Presidenti Stevo Pendarovski menjëherë pas ardhjes në funksion në mënyrë themelore i ka shqyrtuar të gjitha propozimet si zgjidhje të mundshme për pozitën e drejtorit të Agjencisë për Zbulim. Pas analizave krahasuese të kapaciteteve profesionale të të gjithë kandidatëve, emri i Eroll Musliut është ndarë si zgjidhje e mundshme për kryerjen e këtij funksioni të përgjegjshëm. Bëhet fjalë për profesionist i cili karrierën e tij e ka ndërtuar në vend dhe ka pasur bashkëpunim të pandalshëm me shërbimet me të gjitha shtetet aleate. Për emërimin e Eroll Musliut për drejtor të Agjencisë së Zbulimit janë njoftuar edhe shërbimet partnere nga vendet anëtare të NATO-s. Emërimi i Musliut është vlerësuar pozitivisht nga shërbimet e aleatëve”, theksojnë nga Kabineti i presidentit, Stevo Pendarovski.

Drejtori i ri i Agjencisë për Zbulim, Musliu sot ishte prezent në Komisionin parlamentar për monitorimin e institucioneve të sigurisë si drejtor i ri, edhe pse potencoi se vendimi ende nuk ka dalë në Gazetën Zyrtare.

“Dje dëgjuat dhe ka pasur qëndrim edhe nga ana e presidentit. D.m.th. unë jam emëruar nga ana e presidentit Stevo Pendarovski. Nuk e di çfarë qëndrimi ka BDI-ja, por me sa e di ata janë në koalicion me LSDM-në, bashkë e mbështetën presidentin Stevo Pendarovski. Ç’të them më shumë…”, pohoi për Alsat Musliu.

Ndryshe, vetëm 10 ditë pas marrjes së funksionit të presidentit, Stevo Pendarovski është përplasur me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), pas emërimit të Eroll Musliut, drejtor të Agjencisë së Inteligjencës. Sipas kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duhet të shihen detajet e reagimet dhe të sqarohen shkaqet e emërimit dhe shkarkimit të mundshëm.

“Vendimi i djeshëm i presidentit Pendarovski për emërimin e drejtorit të Angjencisë së Inteligjencës na ka shqetësuar të gjithëve dhe hedh hije në ditën e djeshme kur Kuvendi e miratoi reformën në shërbimet e sigurisë. Informatat tona thonë se vendimi është marrë pa pasur informata të mjaftueshme dhe nuk ka qëllim të keq, megjithatë qëndrimi i BDI-së është se derisa nuk zbardhet rasti i Kumanovës, asnjë person i cili ka qenë pjesë e shërbimeve në atë kohë të mos vendoset në krye të institucioneve sensitive. Për atë presim që në periudhën e ardhshme presidenti të mbledhë informata më të mëdha dhe të reflektojë në lidhje me vendimin e tij”, tha z/kryeministri dhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button