Ministria e Mbrojtjes i kërkon paratë e taksave komunale për banesat e ushtrisë

Komuna e Karposhit dhe Qyteti i Shkupit t’ia kthejnë 10 milionë denarë Ministrisë së Mbrojtjes, për taksat komunale për banesat e ushtrisë, kërkon ministrja e këtij resori Radmilla Shekerinska, i cila në vitin 2017 ka urdhëruar ndërprerje të projektit “ARM shtëpia ime e vërtetë”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Enti shtetëror i auditimit vlerëson se ky vendim duhet të rishikohet, për shkak të parave që tashmë janë shpenzuar. Sipas projektit, në kazermën e Shkupit Ilinden, duhej të ndërtohen banesa për pjesëtarët e ARM-së. Megjithëse filloi më shumë se gjashtë vjet më parë, deri tani është hedhur vetëm gur-themeli, në tetor të vitit 2016.

“Auditimi konsideron se ka nevojë që të shqyrtohet vendim për të vënë në pritje projektin duke marrë parasysh vlerën e fondeve që tashmë janë shpenzuar në periudhën 2013-2016, gjegjësisht 12.646.000 denarë, si dhe detyrimet që rrjedhin nga kontrata në vlerë prej 60.647.000 denarë për të cilat janë të mundshme procedura gjyqësore për shkak të mosrealizimit të tyre”, thekson Enti shtetëror i auditimit.

Sipas auditorëve, Ministria e mbrojtjes për këtë projekt, më 12 qershorit 2013, ka lidhur një kontratë për përgatitje të projektit për ndërtim të ndërtesës për banim kolektiv me vlerë 26.451.000 denarë, më 13 maj 2015 kontratë për rishikim të projektit themelor për një ndërtesë banimi 85 milionë denarë, më 7 shtator 2016, ka nënshkruar kontratë për punë ndërtimore në vlerë prej pothuajse 60 milionë denarë, ndërsa më 26 shtator një kontratë për mbikëqyrjen e punimeve ndërtimore me vlerë rreth 1.4 milion denarë. Më shumë se 10 milionë denarë janë paguar për shërbimet komunale të Karposhit dhe qytetit të Shkupit.

Shekerinska në përgjigjen deri te auditorët ka deklaruar se mundësia për blerje të banesave me subvencione u është dhënë pjesëtarëve të ARM-së me ndryshimet ligjore në vitin 2010, ndërsa Qeveria vetëm në vitin 2016 ka miratuar program për ndërtim të banesave për pjesëtarët e ARM-së.

“7 vjet të plota nga miratimi i ndryshimeve në Ligjin për shërbim në ARM nuk u ndërtua as edhe një banesë e vetme, ndërsa me analizën e mundësive dhe interesit për periudhën në vijim u konstatua se në bazë të rregulloreve ekzistuese (ligjore dhe interne) vazhdimi i projektit nuk është i mundur”,  thotë ministrja.

Pas marrjes së detyrës në vitin 2017, Shekerinska nga shërbimet profesionale dhe Shtabi i Përgjithshëm ka kërkuar të bëhet vlerësimi i mundësisë dhe nevojës për realizim të projektit.

“U sugjerua, që për të parandaluar shpenzimet e mëtutjeshme të fondeve buxhetore me pasiguri të madhe për ekzistimin e arsyes për shpenzimet, ky projekt të ndërpritet deri në gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme”, shpjegon Shekerinska.

Ministria e Mbrojtjes, me urdhër të ministres ka kërkuar nga komuna Karposh dhe qyteti i Shkupit të kthejnë shumën e paguar në emër të taksave komunale, në vlerë prej 10.039.000 denarë. Procedura, sipas ministres, është në rrjedhë e sipër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button