THESARI I NËPËRKËMBUR

Njëfarë shqetësimi po më ndjek si hije bashkë me vetminë. Nuk mund të fle. Si shirit filmi më kalojnë nëpër kokë shumë halle që i kam kapërcyer dhe po aq që qëndrojnë para meje e nuk përballohen dot. Njëherë më mundon pse u prish çdo gjurmë nga arqitektura jonë popullore – shtëpitë, objektet e kultit, qofshin ato që i përkasin besimit të tashëm që kemi dhe besimit që kanë pasur të parët tonë.

Më mundon pse nuk kemi dokumente të shkruara nga autorët tonë për zullumet që i kanë bërë popujt fqinjë që nga themelimi i dhunshëm i shteteve ballkanike, nga koha e luftërave të përgjakshme ballkanike dhe pas tyre – gjatë Luftës së parë e të dytë botërore dhe, përfundimisht gjatë kohës së komunizmit. Nuk ka asnjë ditar, së paku nga këto drama. Nuk e gjejmë një ditar të shkruar shqip ku do të përshkruheshin më hollësisht ato që i dëshmon Trocki e të tjerët. Prej nga do ta shqyrtojmë dhe do ta studiojmë ne kulturën tonë dhe të kaluarën tonë?

Bibliotekat tona nuk ofrojnë asgjë.

Arkivat tona nuk dihet a funksionojnë.

E të mbështetemi te folklori për këto çështje, te kujtimet që janë përcjellë gojë më gojë – pak është.

Na mbeten arkivat e mëdha të botës për të hulumtuar, që nga ajo e Raguzës, Beogradit, Moskës, Stambollit, Londrës, Berlinit, Parizit e në Vatikan. Natyrisht edhe gjithkund tjetër ku mund të gjenden shënime, dokumente që flasin për dramën shqiptare që nga antika e deri më sot. Këtu fshihet shpresa jonë për përjetësimin e idesë për rikonstruktimin e kështjellës kulturore shqiptare me themele të forta shkencore.

Por për këto na duhet përkushtimi i shtetit shqiptar. Duhet të bëhet një projekt i madh shtetëror i cili do të fillonte me shkollimin e kuadrove, me studimin e gjuhëve të rëndësishme në të cilat janë të strehuara shumë të dhëna nga e kaluara jonë historike, kulturore dhe gjuhësore.

Ky përkushtim mungon.

Kush mund t’i japë peshë identitetit tonë kulturor më shumë se njerëzit e përgatitur me arsim të veçantë dhe me njohje të gjuhëve? Prandaj shteti duhet të japë bursa për studimin e osmanishtes, të greqishtes së vjetër dhe të greqishtes bizantine, të latinishtes, të sllavishtes së vjetër dhe të gjermanishtes dhe këto kuadra të specializohen, pastaj, për hulumtime shkencore. Për fillim do të na mjaftonte vetëm të mblidhen materialet, të arkivohen e të ruhen, në mënyrë që të nisim ta shkruajmë historinë e vërtetë shqiptare. Pse mos të kemi njohës edhe të gjuhëve të rëndësishme indoevropiane, siç janë armenishtja dhe persishtja, ku mund të gjejmë gjurmë të rëndësishme të lashtësisë sonë gjuhësore.

Më vjen vazhdimisht ajo jehona krenare e arsimtarëve tanë të mirë që na thoshin se gjuha shqipe është e lashtë, më e lashta nga të gjitha gjuhët tjera, se gjuha jonë është e pasur. Shumë e pasur. Është kënaqësi të dëgjohen këto pohime. Për të qenë e lashtë, nuk ka fjalë – ajo e tillë është, por e pasur, sa është dhe a është e pasur unë nuk mund të them gjë për shkak se ne deri në vitin 1912 nuk kemi pasur shtet i cili gjuhë komunikimi zyrtar do ta kishte gjuhën shqipe. Po edhe pas themelimit të Shqipërisë punët për mbrojtjen e gjuhës shqipe nuk kanë shkuar për së mbari. Prej kësaj date të rëndësishme historike për ne e deri më sot populli ynë ka kaluar nëpër drama të ndryshme – herë duke u mbrojtur shtetin nga fqinjët e mbrapshtë e grabitqarë e herë duke rënë në kurthë të diktaturës, gjë që solli rrëmujën e gjatë politike e cila në plan të parë kishte dhe ka  luftën për pushtet të klaneve të ndryshme.

Ta kujtojmë si dhe kush e themeloi Partinë e punës, t’i shohim, pse jo, edhe  protestat e sotme në Shqipëri, të cilat nuk kanë kurrfarë platforme e kurrfarë oferte për popullin. Ndërkaq e kanë një qëllim: të vijnë në pushtet pa votën e popullit! Del se nuk ka pasur hapësirë për të menduar për gjuhën dhe për kulturën shqiptare as dje, e nuk ka as sot. Prandaj kemi mbetur me një fjalor të kohës së diktaturës enveriste me nja 40.000 fjalë, në mesin e të cilave ka plot fjalë të terminologjisë sovjetike dhe shpjegime të mendësisë enveriste e cila ka dëbuar me mija fjalë të të folmeve të veriut dhe edhe ato që i ka futur midis kopertinave dhe u ka vënë vulën e ligë duke i nxirë si krahinorizma, pra duke i tërhequr vërejtjen studentit, profesorit dhe punëtorit shkencor që mos t’i fusë në komunikimin publik. Të kota janë vërejtjet e shumë intelektualëve që kërkojnë të ruhet e të mbrohet gjuha shqipe dhe thesari tjetër i traditës. Fjala e tyre tretet në shkretëtirë. Për fatin e thesarit kulturo vendosin njerëzit me pushtet partiak. Prandaj kemi këso konstruktesh të fjalisë: Agroni arriti te Donaldi. Ose: Lodhja e kishte dërmuar Dritën dhe Xhesika. Nuk çajnë krye mediat as për trajtat as për rasat. Shikoni si e dhunojnë rasën kallëzore: Nëse e ke Dritën në rasën kallëzore, medoemos  edhe Xhesikën do ta kesh në rasën kallëzore. Ky është ligj i gjuhës shqipe!  Një gjuhë e bukur e cila pret t’i shtrihet dora e shtetit, merr këso goditjesh.

Kur do ta venë gishtin në mendje ata që e kontrollojnë pushtetin? Kur do ta marrin vesh ky thesar ka kapërcyer sfida me melineume për të ardhur te ne dhe se ky thesar është shpirti i identitetit tonë?

Dhe, pse ne nuk kërkojmë që gjuha shqipe të jetë e pranishme në të gjitha programet dhe në të gjitha institucionet arsimore nga kopshtet e fëmijëve deri në studimet e doktoratës?  Pse lejojmë të nëpërkëmbet pasuria jonë shpirtërore që na ka bërë këta që jemi?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button