Kosovë, protestë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Pas publikimit të fotografisë nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, me të cilën pretendohej se paraqet kryerjen e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila fotografi doli të jetë e dyshimtë, ka pasur reagime të shumta nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e posaçërisht nga familjarët e tyre, njofton Klan Kosova.

“Për shumë vite kërkuam njohje ligjore dhe qasje në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa pikërisht tani kur ka filluar njohja e statusit ligjor të tyre, rrënohet gjithçka, duke tentuar të manipulohet me dhimbjen dhe plagët që bartin të mbijetuarit dhe familjarët e tyre”.

“Shumë të mbijetuarë dhe familjarë të tyre janë në ankth nga paraqitja e atyre imazheve neveritëse, sidomos kur paraqitja e tyre është bërë nga një deputete e Kuvendit të Kosovës dhe aktiviste e të drejtave të njeriut”.
“Prandaj, duke marrë parasysh faktin se të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk munden të dalin hapur në këtë marsh, ju ftojmë të gjithëve që të na bashkangjiteni në marshin protestues, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit si dhe solidarizim dhe drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Takimi i pjesëmarrësve do të bëhet në Sheshin Zahir Pajaziti, në orën 12.00, dhe marshi do të vazhdojë deri para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.

Organizuar nga organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë:
1. Qendra Kosovare për rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT
2. Rrjeti i Grave të Kosovës
3. Medika Kosova
4. Medika Gjakova
5. Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas
6. Shoqata Drejtësi për të Gjithë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button